Brunei anullon dënimin me vdekje për individët LGBT pas presionit dhe reagimit ndërkombëtar.
Sulltani Hassanal Bolkiah, vendosi të dielën një moratorium mbi dënimin me vdekje. Ligjet e ashpra të kodit të ri penal u ndoqën nga protesta globale, duke bërë thirrje për bojkot të bizneseve të sulltanit dhe turizmit në shtetin e vogël të Azisë Juglindore.
Dënimi me vdekje është ende ekzistent në kodin penal për disa krime, por sërish në Brunei nuk janë kryer ekzekutime kapitale që nga viti 1957.
Në Kodin e ri penal të frymëzuar nga ligji islamik i sheriatit, marrëdhëniet homoseksuale konsiderohen si krim kapital që dënohet me dënim me vdekje. Pas hyrjes në fuqi të ligjeve të reja në muajin e shkuar, u raportua një rritje e numrit të azilkërkuesve nga Brunei, të cilët ishin arratisur nga vendi i tyre për tu shpëtuar ligjeve të ashpra.
Ndërkohë kompania kryesore e transportit në Londër njoftoi ditën e djeshme se reklamat turistike apo billbordet e shteteve si Brunei, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani e të tjera vende që kanë probleme në respektimin e plotë të drejtave të njeriut, nuk do të lejohen të afishohen në asnjë nga mjetet e transportit publik.
Të shumtë ishin dhe qytetarët në vende të ndryshme të botës, që u organizuan në protesta jashtë kompanive shumëkombëshe që operojnë në Brunei si gjigandi i naftës Shell, duke kërkuar largimin e tyre nga vende ku të drejtat e njeriut nuk respektohen as në letër. /k.j