Siguria ushqimore ka qenë gjithmonë një problem për qytetarët shqiptarë dhe herë pas here paraqiten raste të rënda të abuzimit me produktet ushqimore që tregtohen për konsumatorin e gjerë.
Këtë rradhë, emisionin investigativ Top Story, ka zbuluar një skandal të përmasave të gjëra, i cili ngre sërish alarmin për sigurinë ushqimore dhe pasojat fatale që mungesa e saj mund të ketë për shëndetin e popullsisë. Në investigimin e kryer, zbulohet se produkte të shumta agro-ushqimore, duke përfshirë dhe ujin e ambalazhuar, janë të kontaminuara me baktere, të tejmbushura me pesticide e lëndë kimike dhe nuk kontrollohen nga strukturat inspektuese të sigurisë ushqimore.
Sipas raporteve të Inspektoratit Qendror është faktuar se, ISUV nuk ka kryer analizat e produkteve për mbrojtjen e bimëve për vitin 2016, duke mos evidentuar cilësinë e tyre, si dhe problematikën. Sipas këtij raporti, ISUV nuk ka realizuar asnjë analizë për asnjë nga pesticidet që kanë hyrë në Shqipëri që prej vitit 2016.
Ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të njëjtat analiza gjatë vitit 2017, pasi AKU-ja, në shkelje të plotë me ligjin, nuk ka paraqitur raportin e punës për këtë vit.
Përmes eksperimenteve dhe analizave të kryera, në emision zbulohet përdorimi i tepërt i pesticideve dhe jo vetëm, pasi në disa produkte dyshohet se përdoren dhe lëndë ndërtimi si pluhuri i tullës apo i allçisë. Pluhuri i tullave shërben si ngjyrues, ndërkohë që pluhuri i allçisë mund të përdoret për të forcuar produkte të tilla si djathi.
Gjithashtu kontrolli për të tilla substanca bëhet i pamundur, pasi në Shqipëri nuk ka laboratorë që t’i identifikojë ato.
Shqetësues janë dhe ambalazhimet e produkteve ushqimore, të cilat janë të përbëra me materiale të ricikluara, që rrezikojnë jetën e njeriut.
Sipas ekspertëve, ka fakte se nga materialet e riciklueshme që përdoren për paketim, migrojnë elementë kancerogjenë në ushqime. Këtu mund të përmendim mishin e grirë të paketuar, kërpudhat, gjalpin, qumështin, vajin e ullirit, ujin, lëngjet e ndryshme etj.
Burimi: Top Channel