Vritet gazetarja investigative në Irlandë, dyshohet për shkak të detyrës
Një tjetër gazetare e re i është shtuar listës së gazetarëve të vrarë dhe sipas dyshimeve të para, motiv i vrasjes konsiderohen investigimet të cilat ajo po ndërmerrte.
29-vjeçarja Lyra McKee është qëlluar nga persona të paidentifikuar ende dhe ka mbetur e vrarë të enjten në darkë, gjatë disa protestave që eskaluan në dhunë në Irlandën e Veriut.
Protestat e dhunsme dhe vrasja e gazetares u cilësuan dhe nga autoritetet si një ‘sulm terrorist’.
McKee, punonte si redaktore në sitin e lajmeve ‘Mediagazer’ me qendër në Belfast dhe puna e saj përfshinte ekzaminim e incidenteve të dhunës në Irlandën e Veriut. Ajo është përshkruar shpeshherë si një yll në ngritje në gazetarinë investigative dhe veten e quante shpeshhere si ‘truthspeaker’ (folëse e së vërtetës).
Policia po heton ngjarjen si pjesë e incidenteve të dhunës që përfshinë Irlandën e Veriut ditën e djeshme, ndërkohë që gazetarët nga e gjithë bota kanë shprehur keqardhjen për ngjarjen e ndodhur duke kërkuar më tepër mbrojtje për gazetarët investigativë dhe solidarizim me kushtet e vështira për ushtrimin e profesionit të gazetarit. /k.j