Vidhen 10 milionë euro nga avioni i pasagjerëve në Rinas, siguria në aeroport problematike
Një ngjarje e rrallë por jo e paprecedent ka ndodhur ditën e djeshme në aeroportin Nënë Tereza në Rinas, ku një grup grabitësish të maskuar si forca ushtarake e si punëtorë të hetimit tatimor, janë futur në pistën e aeroportit dhe kanë vjedhur disa thasë të mbushur me para që mendohet se kapin shumën e 10 milionë eurove.
Paratë janë vjedhur nga një avion pasagjerësh i linjës Tiranë-Vjenë, pak minuta para se avioni të nisej për në destinacion dhe grabitësit janë filmuar nga pasagjerë të shumtë teksa vjedhin thasët me para dhe kërcënojnë punonjësit e sigurisë së aeroportit.
Ata pas disa minutash u larguan nga pista e aeroportit dhe policia u vu në ndjekje të furgonit me të cilin u larguan. Gjatë ndjekjes pati dhe të shtëna me forcat policore, gjatë së cilave njëri prej grabitësve ka mbetur i vrarë. Trupi i tij është braktisur në afërsi të lumit të Tapizës dhe disa metra më larg është gjendur nga autoritetet i braktisur furgoni i bardhë me të cilin autorët kryen krimin.
Forcat policore po punojnë ende për identifikimin e grabitësit të vrarë i cili është gjendur me një maskë në fytyrë, ndërkohë që dhe për grabitësit e tjerë dyshohet se kanë pasur në fytyra maska silikoni për të mbuluar identitetin e tyre.
Ngjarja duket si një përsëritje e grabitjes së qershorit të vitit 2016 ku në një akt të ngjashëm u vodhën rreth 3 milionë euro dhe u ngrit alarmi për sigurinë në aeroportin tonë të vetëm ndërkombëtar. Për ngjarjen policia ka shoqëruar mbi 40 persona që mund të kenë dijeni, mes tyre dhe punonjës të sigurisë së aeroportit. Ky është rasti i dytë i grabitjes së parave brenda pistës së aeroportit të Rinasit dhe i katërti i grabitjes së parave të bankave që shkojnë drejt Rinasit.
Pas grabitjes së vitit 2016, u mblodh edhe Komiteti i Sigurisë me përfaqësues të Policisë, Ministrisë së Transporteve, SHISH, Albkontroll dhe të kompanive ajrore, ku si shqetësim thelbësor u ngrit problemi për sigurinë në Aeroportin “Nënë Tereza”, mosfunksionimi i sistemit të kamerave, faktin që Policia e Shtetit nuk kishte akses në këtë sistem kamerash, por edhe çarja e perimetrit të jashtëm të pistës së avionëve.
Mbledhja u zhvillua pas 3 testimeve të kryera më prill 2016 nga ana e Aviacionit Civil dhe Policisë, gjatë të cilave u arrit të futej edhe eksploziv në Aeroport.