Kisha mormone në SHBA pranon pagëzimin e fëmijëve të çifteve LGBT

Një nga kishat më konservatore kristiane në Shtetet e Bashkuara, Kisha Mormone ka njoftuar përmes një deklarate të liderit të tyre fetar, se do të lejojë pagëzimin e fëmijëve të rritur nga partnerë dhe çifte të së njëjtës gjini.
Vendimi i marrë ditën e djeshme, hedh poshtë një rregull fetar të vendosur në vitin 2015, ku familjet LGBT dhe fëmijët e rritur në këto familje konsiderohen si heretike dhe përjashtohen nga e drejta për tu bërë pjesë e kishës dhe e shërbesave fetare. Pas vendimit të vitit 2015, rreth 1500 familje janë larguar nga Kisha me dëshirën e tyre në formë proteste kundër vendimit të padrejtë.
Për të siguruar një hapje më të madhe të Kishës dhe një qasje më tolerante ndaj besimtarëve të shumtë që njëkohësisht janë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBT, fëmijët e rritur në këto familje do të kenë mundësinë të pagëzohen si mormonë.
Pavarësisht ndryshimit pozitiv, i cili u përshëndet dhe u prit pozitivisht nga organizatat që luftojnë për të drejtat e komuniteti LGBT, ende marrëdhëniet mes individëve të së njëjtit seks dhe prirjet homoseksuale konsiderohen si një mëkat në dogmën e kishës mormone. Për ta martesën tradicionale vazhdon të mbetet një lidhje të shenjtë, por ky vendim shënon padyshim një hap përpara përsa i përket tolerancës së feve dhe grupimeve fetare ndaj të drejtave LGBT./k.j