Përkeqësimi i respektimit të së drejtave të njeriut pasqyrohet dhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit

Përkeqësimi i respektimit të së drejtave të njeriut në vend u pasqyrua dhe në raportin e përvitshëm të hartuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Që në hyrje të raportit cilësohet korrupsioni i lartë në të gjithë sektorët e qeverisë, i cili kontribuon direkt dhe në përkeqësimin e situatës.
Raporti shqyrton fusha të ndryshme përsa i përket të drejtave të njeriut. Problematika të shumta paraqiten në respektimin e të drejtave të minoriteteve, lirinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të vitit 2017, respektimin e barazisë gjinore nga institucionet dhe politika si dhe punën e institucioneve në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me mos-respektimin e të drejtave bazike të njeriut.
Trajtimi i minoriteteve
Përsa i përket trajtimit të minoriteteve etnike dhe gjuhësore në raport përmenden shkeljet e shumta në lidhje me trajtimin e minoritetit rom dhe egjiptian, mungesën e përfshirjes së tyre në vendimmarrje, diskriminimin dhe dhunën e ushtruar nga autoritetet, ku përmendet rasti i një të burgosuri rom i cili vdiq nën mbikëqyrjen e policisë si edhe shpërnguljet e detyruara të familjeve rome nga banesat e tyre në rastin e Bashkisë së Tiranës. Keqtrajtimi i fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian ekziston dhe në institucionet arsimore ku ato veçohen dhe ndahen nga pjesa tjetër e nxënësve.
Kostot e larta të shkollimit dhe diskriminimi janë arsyet kryesore që detyrojnë fëmijët rom dhe egjiptian, por dhe të minoriteteve të tjera, të braktisin shkollën dhe studimet.
Personat me aftësi të kufizuar janë gjithashtu një komunitet, të drejtat e së cilëve nuk respektohen plotësisht. Ata kanë pengesa të shumta në jetën e tyre të përditshme. Mungesa e infrastrukturës, shërbimeve, diskriminimi institucional dhe mungesa e financimeve për programe të dedikuara qeveritare për to janë disa nga çështjet e përmendura.
Departamenti Amerikan i Shtetit bën një tjetër kritikë të fortë kur nënvizon se “disa pakica mbetën të prekshme në blerjen e votave”.
Në raport përmendet dhe mos respektimi i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në këto zgjedhje. Aty thuhet se partitë e mëdha megjithëse vendosën gra në listat e tyre nuk u respektua ligji për të futur 30% të tyre në Kuvend.
Mbrojtja nga diskriminimi me bazë identitetin gjinor apo orientimin seksual
Në raport përmendet si një veprim pozitiv shtimi i komunitetit LGBT+ në ligjin e strehimit, pavarësisht se debati parlamentar dhe publik gjatë kalimit të këtij ligji u shoqërua me komente dhe deklarata homofobike nga ligjvënësit.
Orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë të përfshira në ligjet kundër diskriminimit dhe krimet e urrejtjes, por mbështetja institucionale mbetet thjesht formale dhe homofobia është prezente në diskursin politik dhe publik.
Përsa i përket debatit mbi komunitetin LGBT+ në shkolla dhe fushatës kundër bulizmit, në raport kritikohet jo vetëm mungesa e reagimit institucional për mbrojtjen e legjitimitetit të fushatës kundër bulizmit dhe diskriminimit nëpër shkolla, por dhe raportimi jo i drejtë mediatik i kësaj fushate.
Vetëm në muajin shtator 2018, Aleanca kundër diskriminimit LGBT ka dokumentuar 34 raste të dhunës fizike ndaj anëtarëve të komunitetit. Në njërin prej rasteve të depozituara në polici, vetë autoritetet i kërkuan një gruaje transgjinore tërheqjen nga denoncimi, ndërkohë që ajo u dhunua sërish pas dy javësh duke përfunduar në spital.
Organizata PINK Embassy raporton trajtimin e 20 rasteve të individëve të komunitetit LGBTI të cilët kanë kërkuar azil jashtë vendit duke cilësuar arsye kryesore dhunën, ndërkohë që STREHA raporton raste të shumta të dhunës në familje dhe diskriminimit ndaj individëve që trajtohen prej tyre.
Problematika të tjera
Dhuna ndaj fëmijëve dhe dhuna në familje janë ende prezente dhe nuk po adresohen si duhet nga autoritetet. Punësimi i të miturve dhe shfrytëzimi i tyre përbëjnë një tjetër problem të cilësuar në raport. Shpërngulja e detyruar e familjeve rome dhe egjiptiane kryesisht, detyron fëmijë të shumtë të lypin dhe të rrezikohen nga grupet dhe aktivitetet e paligjshme.
Përsa i përket kushteve të punës dhe të drejtave të punëtorëve, mungojnë stadardet e përcaktuara nga shteti mbi pagesat, oraret e punës dhe pushimit, pagesa e orëve shtesë dhe respektimi i kushteve të sigurisë fizike, sidomos në sektorin privat apo sektorin informal i cili mbetet ende i madh dhe i përhapur. Ligji i punës shkelet shpehherë dhe duke detyruar punëtorët e sektorit informal dhe privat për të punuar mbi 40 orë, aq sa është orari zyrtar dhe i lejuar nga ligjet në fuqi.
Për tu njohur me raportin e plotë të Departamentit Amerikan të Shtetit, klikoni këtu. / k.j