Monitorimi dhe mbështetja e reformave të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/03/albania-960x640.jpg)
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim publikoi një projekt të titulluar “Mbikëqyrja dhe mbështetja e reformave të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së”.
Gjatë inaugurimit të ALBE-s: një nismë e Organizatave të shoqërisë civile shqiptare për të rritur monitorimin dhe komunikimin në reformat e angazhuara, ambasadori i BE-së, z. Luigi Soreca deklaroi se shoqëria civile shqiptare duhet të krijojë një rrjet organizatash për të monitoruar përparimin drejt hapjes së negociatave.
“Negociatat për zgjerim do të krijojnë kushtet adekuate për më shumë monitorim dhe kontroll”, tha zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Sokol Dedja.
“Organizatat e shoqërisë nuk duhet vetëm të dëgjohen, por mbi të gjitha duhen konsideruar më shumë”, nënvizoi eurodeputeti Knut Fleckenstein, raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Aktiviteti vijoi me prezantimin e parë të përbashkët sa i përket monitorimit të prioriteteve kryesore. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti i Studimeve Politike, Instituti Shqiptar i Shkencës dhe Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, me anë të një metodologjie të unifikuar, përshkruan gjetjet e tyre kryesore mbi Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore, Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar.
Përfaqësues nga shumë organizata të shoqërisë civile, e mirëpritën iniciativën dhe kontribuan me vëzhgimet përkatëse mbi gjetjet e tyre dhe modelin e monitorimit novator.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, z.Guusje Korthals Altes theksoi: “Integrimi në BE nuk është vetëm një proces politik apo administrativ. Mbërrin në çdo kënd të shoqërisë, në çdo derë dhe në çdo person. Pra, u takon të gjithë aktorëve shqiptarë që të kontribuojnë në arritjen e këtij qëllimi. Aktiviteti i sotëm po ofron një platformë bashkëpunimi të cilën mund ta ndërtojnë të gjitha palët e interesit të përfshira në proces.”
Platforma ALBE koordinohet nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në kuadër të mbështetjes së organizatave të shoqërisë civile për progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Komponenti i Zgjerimit do të plotësohet gjithashtu me raportim të rregullt nga mbarëvajtja e procesit të Berlinit./l.k/
Burimi: EWB (European Western Balkans)