Gazetares britanike i mohohet leja e qëndrimit në Shqipëri pas kritikave drejtuar qeverisë
Gazetarja britanike Alice Taylor, u bë e njohur për publikun shqiptar falë blog-ut të saj “The Balkanista”, ku promovon bukuritë e Shqipërisë nga sytë e një shtetase të huaj dhe brenda pak kohësh u kthye në një nga blogjet më të ndjekur në Shqipëri.
Prej një viti e gjysmë ajo tashmë jeton në Shqipëri dhe është dhe një aktiviste e kauzave për të cilat pak shqiptar ngrihen. Alice shumëkush e ka parë në protesta të ndryshme: në paradën e krenarisë; në protestat e studentëve; në protestat për mbrojtjen e të drejtave të grave; në protesta për mbrojtjen e natyrës apo dhe thjesht në rrjete sociale, ku me postimet e saj promovon jo vetëm natyrën e bukur të Shqipërisë dhe mikpritjen e shqiptarëve, por dhe aspekte të ndryshme të shoqërisë që mbeten të fshehura për ne që jetojmë në këtë vend përditë.
Si gazetare, Alice shkruan dhe për portalin Exit News, ku mbulon seksionin në anglisht të këtij portali mediatik së bashku me gazetarë të tjerë të huaj që banojnë në Shqipëri.
Gjatë ngjarjeve të fundit politike, Alice shprehu kritikat e saj kundër mënyrës se si qeveria shqiptare u përgjigj ndaj protestuesve, përdorimit të gazit lotsjellës dhe shpërndarjes së lajmeve të rreme në rrjete sociale, të cilat intimidonin qytetarët pjesëmarrës në protestë.
Pas shkrimeve kritike ndaj qeverisë, The Balkanista e cila dikur shpërndahej me krenari dhe nga ministrat e funksionarët tanë të qeverisë, u kthye menjëherë në një tabelë qitjeje për qeverinë dhe portalet mediatike pranë saj, duke u akuzuar si spiune ruse dhe bashkëpunëtore me mediat ruse, ndërkohë që partnerin e saj e akuzuan si individ të paguar nga opozita.
Në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit në Shqipëri, pasditen e sotme Alice njoftoi ndjekësit e saj në Twitter se leja e saj e qëndrimit është anulluar dhe se ajo duhet të largohet sa më shpejtë nga vendi, pavarësisht faktit se është në muajin e gjashtë të shtatëzanisë dhe të udhëtuarit mund t’i shkaktojnë komplikacione shëndetësore.
The Albanian givernment, after attacking me and my partner because of my work as a journalist and my criticisms of them, have now cancelled my residency renewal permit. @EFJEUROPE @IFJGlobal @CoEMediaFreedom @OSCE_RFoM #mediafreedom #PressFreedom #albania #FreedomOfSpeech
— Alice Taylor (@Aliceinalbania) March 6, 2019
Vendimi i pabazuar i autoriteteve shqiptare duket si një sulm i pastër ndaj aktivitetit gazetaresk të Alice dhe cënon të drejtën e shprehjes dhe lirinë e fjalës, duke u kthyer në një precedent të rrezikshëm për të gjithë gazetarët e huaj që do të duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. /k.j