Shtetet evropiane me hendekun më të madh gjinor të pagave
Malta, Italia dhe Greqia janë shtetet e Bashkimit Evropian me hendekun më të madh gjinor në paga, ndërsa Lituania dhe Finlanda paraqiten me diferencën më të vogël.
Të dhënat janë mbledhur në vitin 2017 dhe janë publikuar ditën e djeshme nga Eurostat. Në Maltë diferenca në paga midis burrave dhe grave kap normën e 24.1%, me gratë të paguara më pak. Në Itali kjo diferencë shkon në 19.8% ndërsa në Greqi në 19.7%.
Ndërkohë që në sektorin e ndërtimit dhe në veprimtaritë që merren me menaxhimin e ujërave, kanalizimeve dhe mbetjeve, gratë rezultojnë më të paguara se mesatarja. Sipas raportit, ky fenomen ndodh për shkak se në këto sektorë specifikë, nevojiten individë me përgatitje të madhe profesionale dhe detyrimisht pagesa do të jetë dhe më e lartë.
Arsyet pse hendeku gjinor i pagës vazhdon të mbetet problem në shumë shtete, mendohet të jenë kultura politike dhe ajo e korporatave, e cila ende i sheh gratë si të papërshtatshme për pozicione të mirëpaguara; mungesa e strukturave sociale mbështetëse të shtetit që detyron gratë të përkushtohen më shumë për familjet si dhe mungesa e grave në tregun e punës për shkak të detyrimeve familjare. /k.j
Burimi: Euronews