Ndërkohë që bota diskuton marrëveshjen e Klimës, Shqipëria miraton hapjen e inceneratorëve
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/11/global_warming.jpg)
Ngrohja globale dhe fenomeni i ndryshimeve klimaterike, po sjell një tranformim të kursit politik mbarëbotëror. Marrëveshja e klimës së Parisit, detyron të gjithë shtetet firmëtare, mes tyre dhe Shqipërinë, që të marrin masa për pakësimin e ndotjes dhe emetimit të gazeve karbonikë dhe ndotës në mjedis.
Ngrohja globale po përparon me ritme të shpejta dhe raste të motit ekstrem po prekin vende të ndryshme të botës. Në vendin tonë përmbytjet dhe zjarret janë kthyer në një fenomen të përvitshëm dhe sërish adresimi që i bëhet këtyre problematikave, është jo i duhuri.
Në Shtetet e Bashkuara, Senati po merr në shqyrtim dhe ka hapur diskutimin për Marrëveshjen e Gjelbër, e cila do të përpiqet të përshtasë ekonominë amerikane drejt një ekonomie më miqësore ndaj mjedisit, që do të fokusohet te burimet e rinovueshme të energjisë dhe teknologjia e gjelbër.
Gjermania ditën e djeshme njoftoi mbylljen e centraleve termikë që punojnë me lëndë djegëse dhe që janë ndotës të mëdhenj të mjedisit. Vendimi i Gjermanisë erdhi pas një iniciative të shteteve të Bashkimit Evropian për shtimin e fondeve dhe politikave për mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që nxënësit e shkollave të mesme në Evropë dhe vende të tjera të botës, po bojkotojnë mësimin një ditë në javë për të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë që duhet t’i kushtohet klimës dhe të ardhmes së gjeneratave të reja.
Situata në Shqipëri
Krejtësisht ndryshe paraqitet situata në vendin tonë. Edhe pse jemi firmëtarë të marrëveshjes së Klimës së Parisit dhe të angazhuar për pakësimin e ndotjes, duket se investime strategjike ne vendin tonë nuk po konsiderohen as energjia e rinovueshme diellore dhe as përdorimi i teknologjisë së gjelbër, por nafta dhe inceneratorët.
Pas vendimit për lejimin e kërkimeve për naftë në Parkun Kombëtar të Zagorisë, duket se investimet po fokusohen në të tjerë ndotës dhe këtë herë nuk po kursehen as qendrat e mëdha urbane nga ndotja.
Ndërkohë që nga qeverisja lokale e Tiranës proklamohet mbjellja e pemëve dhe pakësimi i ndotjes në kryeqytet, në kundërshtim të plotë me vullnetin e qytetarëve, Këshilli Kombëtar i Territorit aprovon lejen për ndërtimin e inceneratorit të plehrave në kryeqytet. Në mbledhjen e datës 27 shkurt, KKT miratoi ndër të tjera:
Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i Landfillit, Inceneratorit dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.
Ky incinerator është kundërshtuar gjerësisht nga shoqëria civile, por qeveria ka vazhduar me projektin ashtu sikurse ka ndodhur edhe me atë të Fierit. Në qendrat urbane më të mëdha të vendit, ajo cfarë duhet të ishte teknologjia e gjelbër, do të jetë incenerator plehrash, pasojat mjedisore dhe shëndetësore të së cilit nuk merren parasysh për aq kohë sa investimi rregjistrohet si ‘arritje ekonomike’. / k.j