Sipas projeksioneve të parashikuara të INSTAT, në vitin 2061 pritet të ketë 78.6 burra për 100 gra.
Kriza demografike që po përjeton Shqipëria për shkak të uljes së numrit të lindjeve, emigracionit dhe plakjes së popullsisë do të sjellë pasoja të rënda në të ardhmen, duke përmbysur raportet gjinore në popullsi dhe duke krijuar me dhjetëra problematika që pasojnë të tilla probleme.
Në vendin tonë, ndër dekada popullsia e gjinisë mashkullore ka qenë më e shumtë në numër, për shkak të rëndësisë që u jepej burrave në shoqëri dhe ekonomi si dhe abortit selektiv. Por mesa duket këto raporte prej vitesh tashmë janë duke u përmbysur për shkak të fenomenit të emigracionit, ku kryesisht janë burrat ata që emigrojnë për të siguruar të ardhura për familjet e lëna pas.
Aktualisht raporti gjinor i popullsisë paraqitet ende në ekuilibër, me 99.8 meshkuj për 100 femra, teksa duket se ky raport është përkeqësuar në krahasim me censin e fundit. Raporti gjinor në vitin 2011 ishte 107.8 meshkuj për 100 femra. Raporti gjinor pritet të thellohet në favor të grave duke arritur deri në 89,1 burra për çdo 100 gra më 2031, teksa përkeqësimi do të vijojë edhe më tej.
Sipas projeksioneve të fundit të INSTAT, në vitin 2061 popullsia totale në Shqipëri do të jetë rreth 2 milionë banorë dhe do të ketë vetëm 78.6 burra për 100 gra.
Sipas INSTAT raporti gjinor do të përkeqësohet kryesisht nga emigracioni, pasi projeksionet mbi raportin gjinor në lindje do të jenë në favor të meshkujve edhe për dekadën në vijim.
Popullsia e vendit është përfshirë në një tranzicion të frikshëm, në vitet në vijim ku popullsia e saj do të pakësohet, do të plaket dhe do të ketë një varësi të lartë nga gratë. Pakësimi i numrit të lindjeve po arrin drejt shifrave rekord, duke shkuar drejt një barazimi të afërt dhe me numrin e vdekjeve, një fenomen që do të përshpejtojë ritmet e plakjes së popullsisë. Situata është dhe e pabalancuar përsa i përket lindshmërisë në veri dhe jug të vendit, ku në Dropull, gjatë një viti kanë lindur vetëm 5 fëmijë.
Kategorizimi i meshkujve në minorancë në dekadat në vijim do të sjellë ndryshime edhe në strukturën e ekonomisë në Shqipëri. Në dekadat e ardhshme bizneset do të duhet të përshtatin projeksionet e tyre për një forcë pune ku dominojnë gratë. Gjithashtu oferta për mallra do të duhet të përshtat për femrat dhe gjithashtu produktet për konsum do të kenë një target më të madh për moshat e vjetra./k.j
Burimi: Monitor