BE dhe SHBA: Dorëzimi i mandateve minon demokracinë dhe progresin e Shqipërisë
Dorëzimi i mandateve nga partitë opozitare, ngjalli reagime në organizmat ndërkombëtarë dhe institucione që vëzhgojnë ecurinë e Shqipërisë në integrimin evropian. Pas ambasadave dhe trupave diplomatike të atashuara në Tiranë, reagime erdhën dhe nga Bashkimi Evropian, Departamenti amerikan i Shtetit dhe nga Ministria e Jashtme gjermane.
“Vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Duke pasur parasysh protestat në Shqipëri sot, ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore si një tipar thelbësor dhe një vlerë thelbësore e demokracisë, por ne fuqimisht denoncojmë çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bëjnë thirrje për dhunë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të zonjës Mogherini dhe Komisionerit Hahn.
Përfaqësuesit e BE-së theksojnë gjithashtu se “parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të çohen përpara, e jo të bojkotohen. Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën e Bashkimit Evropian”, nënvizon deklarata.
Deklarata e përbashkët mbyllet me thirrjen që “qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”.
Të qartë kanë qenë dhe zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer, ka zhvilluar mbrëmë dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, zoti Palmer u bëri thirrje të dy udhëheqësve të opozitës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në proceset demokratike, duke theksuar rolin jetik, që partitë e opozitës duhet të luajnë në një shoqëri demokratike.
Ditën e djeshme reagim të ngjashëm pati dhe nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë. Në një prononcim për Deutsche Welle-n Ministria e Punëve të Jashtme thotë se “platforma e duhur për zgjidhjen e konflikteve politike është parlamenti.”
Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e quan të gabuar djegien e mandateve të deputetëve të opozitës. “Ngecja në vend nuk është opsion për Shqipërinë e sidomos kur Shqipëria është në pritje të vendimit të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në deklaratë. /k.j