Deputetët e opozitës së bashkuar kanë firmosur ditën e djeshme deklaratat e dorëzimit të mandateve parlamentare, të cilat priten të depozitohen në Kuvend e më pas në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vazhdimin e procedurave ligjore.
Duke filluar nga kryetarët e partive Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarët e grupeve parlamentarë dhe më pas të gjithë deputetët me rradhë, ndërmorën aksionin e paprecedentë i cili u njoftua pas protestës së datës 16 shkurt dhe mungesës së konsensusit nga mazhoranca për plotësimin e kërkesave të opozitës.
“Me vullnet të lirë deklaroj: Unë, …, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke vlerësuar si të pamundur vijimin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, në mbështetje të shkronjës ‘b’, pika 2, e nenit 71 të Kushtetutës, jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati si deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruhet në deklaratat e dorëheqjes nga mandati.
Ditën e sotme, në orën 10, është njoftuar një tjetër protestë përpara Parlamentit nga partitë opozitare, ndërkohë që trupat diplomatike të atashuara në Tiranë, kanë reaguar njëra pas tjetrës mbi situatën e krijuar dhe vendimin e opozitës.
Ambasada Amerikane, Delegacioni i Bashkimit Europian, Ambasada Franceze dhe Gjermane, kanë dalë me deklarata të ngjashme ku kundërshtojnë vendimin e opozitës, si një vendim që bie ndesh me parimet e demokracisë dhe bëjnë thirrje për distancim nga dhuna në protestat e ardhshme.
Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. … Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni.” shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Procedurat ligjore që do të ndiqen pas dorëzimit të mandateve mbeten ende të paqarta, në mungesë të një ligji të caktuar mbi trajtimin e këtij rasti. Specialistë të ligjit janë të mendimeve të ndryshme mbi plotësimin e vendeve në Parlament dhe mungojnë dispozitat e qarta ligjore mbi këtë rast. Në mungesë të një gjykate funksionale Kushtetuese, vendimet mbeten në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe interpretimit që ky institucion do t’i bëj ligjeve dhe Kushtetutës./k.j