“Solidariteti” – Punëtorët e call centerave organizohen në sindikatë

Aktivistët e angazhuar pranë Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror, IKESH të angazhuar prej mëse një viti së bashku me punëtorë nga “Teleperformance”, ia dolën të themelojnë më 18 shkurt Sindikatën Kombëtare të Qendrave të Kontaktit.
Qendrat e kontaktit, kanë lulëzuar masivisht dy dekadat e fundit, duke shërbyer si vend punësimi për mijëra të rinj të cilët kanë vështirësi në përballimin e jetesës dhe tarifat e larta universitare përgjatë periudhës së studimeve, apo edhe sepse nuk mund të punësohen në profesion pas mbarimit të studimeve.
Dëshmohet për kushte të vështira punësimi prej atyre që së paku një herë kanë punuar në një call centre; në lidhje me keqpagimin, presionin sistematik prej punëdhënësve dhe mosrespektim të kodit të punës.
“Solidariteti” është emërtimi i sindikatës, duke shërbyer jo vetëm si simbolikë për mbështetjen e 30 mijë të punësuarve të qendrave të kontaktit , por tani do jetë më e lehtë për të adresuar problemet në punë dhe të drejtat e tyre në këtë sektor. Për shkak të masivitetit të të rinjve e të rejave të punësuar në këtë sektor, dhe shtrirjes në ekonomi, sektori i “Call Centres” këtej e tutje gëzon të drejtën e përfaqësimit sindikal ashtu si industritë e tjera të mëdha të punësimit në vend.
Themelimi i “Solidariteti”-t është mbështetur dhe nga Sindikata “Global Uni” që ka në radhët e saj dhjetëra milionë sindikalistë nga vende të ndryshme të botës . Kështu mijëra të punësuar në qendrat e kontaktit në Shqipëri, në mënyrë të organizuar do të mund të ngrenë zërin për kushte pune dhe paga të dinjitoze. Përfaqësuesja e Sindikatës “Globale UNI” Teresa Casertano u shpreh-“Globalizimi i shërbimeve nuk duhet të nënkuptojë një garë globale drejt standardeve më të ulëta. Sindikata e re në Shqipëri do të jetë një prej efekteve domino në organizimin sindikal nëpër Evropë e më gjerë”.
Në mungesë të një kujtese historike për organizim sindikal, tashmë “Solidariteti” përbën një gur themeli të fortë në organizimin e industrive dhe sektorëve të tjerë të shërbimit, me përfaqësim sindikal të drejtë për të ushtruar presion në vendimarrje për të drejtat e punëtorisë.
/L.K/