Aksident i rëndë në Maqedoninë e Veriut, 13 viktima dhe dhjetëra të plagosur

Pasditen e djeshme një autobus me pasagjerë është përmbysur në autostradën Shkup-Tetovë dhe për pasojë disa persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas deklaratës së ministrit maqedonas të transporteve, deri në mbremje numëroheshin 13 viktima dhe disa të plagosur në gjendje të rënduar. Udhëtarët ishin nisur nga Shkupi për në qytetin e Gostivarit,.
Të plagosuri në gjendje kritike, janë dërguar në spitalin shtetëror të Shkupit “Nënë Tereza” dhe në spitalin ushtarak “8 Shtatori”. Sipas të dhënave zyrtare aksidenti ka ndodhur rreth orës 17.00 të ditës së mërkurë në kilometrin e dhjetë të autostradës Shkup-Tetovë, pas pikës së parë së pagesës. Nga hetimet paraprake mësohet se shkak i aksidentit është bërë plasja e gomës së autobusit dhe për pasojë ai ka kaluar në korsinë e kundërt.
Forca të shumta policore dhe dhjetra autoambulanca mbërritën në vendgjarje për ti dhënë ndihmë të plagosurve si dhe për të zbardhur shkakun e aksidentit. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkaqet e aksidentit apo një identifikim të plotë të viktimave./k.j