Aktivistja 16 vjeçare që po frymëzon protesta në të gjithë botën #FridaysForFuture
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/02/5011.jpg)
Greta Thunberg është një aktiviste adoleshente për mbrojtjen e klimës nga Suedia. Në vitin 2018, ajo ishte inicuese e protestave të nxënësve të shkollave në Suedi, të cilët nuk ndoqën procesin mësimor për të protestuar kundër ndryshimeve klimaterike.
Para zgjedhjeve parlamentare të vendit me 9 shator 2018, ajo u nis për në grevë çdo ditë gjatë orëve të mësimit për 3 javë, para parlamentit, në Stokholm.
Fillimisht e vetme në grevë, ajo filloi të tërhiqte vëmendjen e qytetarëve dhe falë rrjeteve sociale mesazhi i saj u përhap shumë shpejt në Suedi dhe përtej saj. Sot, Greta bashkë me mijëra adoleshentë të tjerë në botë, po braktisin mësimin ditët e premte nën moton #FridaysForFuture që në shqip do të përkthehej në “Të Premtet për të Ardhmen”.
Protestat po zhvillohen prej javësh në Suedi, Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe mesa duket dhe përtej Evropës. Nxënës të shkollave të mesme nga disa shtete afrikane dhe të Amerikës Latine, kanë njoftuar bashkimin etyre me kauzën, duke bojkotuar mësimin për të nxitur diskutimin mbi mbrojtjen e klimës dhe të ardhmen e pasigurtë prej ndryshimeve klimaterike.
Greta u bë e njohur në mbarë botën pas fjalimit të saj në dhjetor të 2018-ës, të mbajtur në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike në qytetin e Katovicës në Poloni.
Më 4 dhjetor 2018, në fjalimin e saj, Thunberg adresoi rëndësinë e ndryshimeve klimaterike duke thënë:
Ajo çfarë unë shpresoj të arrijë në këtë konferencë është që të gjithë ne të kuptojmë se po përballemi me një rrezik të vazhdimësisë së ekzistencës sonë. Kjo është kriza më e madhe me të cilën njerëzimi është përballur ndonjëhere. Duhet fillimisht ta kuptojmë dhe më pas sa më shpejtë të jetë e mundur, të bëjmë diçka për ndalimin e emetimeve dhe për të shpëtuar aq sa ka mbetur për tu shpëtuar.
Këto protesta po shoqërohen dhe me debate politike në shtetet e Evropës veriore, ku krijimi i koalicionit qeverisës në Suedi vonoi pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi klimën.
Ndërkohë që e gjithë bota po dëshmon vit pas viti pasojat fatale të ndryshimit të klimës, Greta dhe shumë të rinj si puna e saj kanë vendosur të marrin vetë në dorë të ardhmen e tyre. Në fund të fundit sa kuptim ka shkolla, kur e ardhmja e tyre dhe e planetit nuk është e sigurtë? / k.j
Sondazh: