Parlamenti që legjitimon gjuhën fyese, diskriminimin dhe mungesën e llogaridhënies
Ditën e djeshme, seanca plenare e parlamentit u shoqërua, siç duket të jetë bërë zakon, me tensione të shumta, ofendime të rënda dhe shumëçka përveç punës që pritet prej një parlamenti të zakonshëm.
Situata e tensionuar politike dhe shoqërore si dhe përgjimet e publikuara një ditë më parë nga Zëri i Amerikës, duket se e kthyen sallën e Kuvendit në një arenë përplasjesh e ofendimesh, ku nuk diskutohen problemet e qytetarëve, kriza politike, skandalet e publikuara apo ngërçi i krijuar në sistemin arsimor universitar, por diskutohen deklaratat e pasurive të njëri-tjetrit, lidhjet farefisnore apo një sërë temash që në fund të ditës nuk ndihmojnë aspak qytetarët të zhytur në dëshpërim dhe pesimizëm.
Me shifra të emigrimit të të rinjve gjithnjë në rritje, me një kaos në universitete e me një ministre të sapoemëruar arsimi që nuk njeh ende përgjegjësitë e detyrës së marrë, me emra zyrtarësh politikë të akuzuar për lidhje me botën e krimit dhe në një situatë ku Shqipëria renditet e fundit në Europë përsa i përket perceptimit të korrupsionit, duket se Kryeministri i sapo kthyer nga eventi hapës i ekspozites së pikturave të tij në Berlin, e ka më të thjeshtë ofendimin e deputetëve dhe talljen me postin që i është dhënë nga qytetarët, sesa të japë llogari përpara tyre.
E njëjta gjë vlen të përmendet dhe për deputetë të opozitës dhe mazhorancës të cilët dinë vetëm të brohorasin e të duartrokasin direktivat e kryetarit të partisë.
Ndoshta përfaqësuesit tanë harrojnë shpeshherë e nevojitet tu kujtohet fakti se secili prej tyre aty, përfaqëson një pjesë të elektoratit. Pavarësisht sistemit zgjedhor, në fushatë eletorale janë deputetët që dynden rrugëve të qyteteve e fshatrave, e shkojnë derë më derë për të kërkuar privilegjin e përfaqësimit nga qytetarët.
Një institucion që legjitimin fyerjet, ofendimet dhe mungesën e llogaridhënies e që nuk promovon asnjë vlerë të qytetarisë dhe demokracisë, është e turpshme ta quash parlament. / Shënim i Redaksisë