Prokurori kandidat në KLP rezulton bashkëpunëtor gjatë komunizmit me ish-Sigurimin e Shtetit
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/01/Gentiana-Sula-Shehi-696x391.jpg)
Z. Bujar Sheshi është një nga kandidatët aplikues për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Mirëpo procesi i verfikimit të figurës së pastërtisë së prokurorit duket se do ta mbajë larg kandidatin Sheshi nga anëtarësia e KLP.
Sipas kërkesës të depozituar nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme të protokolluar në Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ky i fundit ka legjitimuar kërkesën për shqyrtimin e pastërtisë së figurës së prokurorit.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit në administrim dhe verifikimit të kryer në fondet arkivore që mbartin dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, dolën në pah se prokurori Sheshi ka qenë bashkëpunëtor në kohën kur ka qenë nxënës në gjimnazin Petro Nini Luarasi në Tiranë. Gjithashtu Sheshi rezulton në dokumentet arkivore si anëtar me detyrë hetues në Hetuesinë e Degës së Punëve të Brendshme Fier.
Por rezultati nuk është mirëpritur nga prokurori Sheshi. Ai është shprehur për mediat se do të kallëzojë në Prokurori institucionin e AIDSSH, duke e cilësuar përgjigjen si të vonuar, dashakeqëse dhe një skenar i mundshëm politik me qëllim për të penguar procesin e reformës për drejtësi.
“Refuzoj kategorikisht çdo akuzë dhe vendimmarrje sipas të cilit unë kam qenë bashkëpunëtor i sigurimit. Drejtësia do merret me këtë çështje dhe do arrijë një konkluzion të qartë. Nuk besoja se do arrinin deri në këtë sajesë.” – u shpreh prokurori Sheshi.
Ndërkohë institucioni i AIDSSH nuk ka vonuar në dhënien e përgjigjes ndaj akuzave për shpifje nga ana e Sheshit. Në një deklaratë publike, institucioni është shprehur se procesi i verifikimit ka dhënë një përgjigje të vonshme si pasojë e kërkimit të realizuar në mënyrë manuale në fondet arkivore. Gjithashtu ende nuk ekziston një automatizim i mjeteve të kërkimit që të mundësojë një procedurë më të përshpjetuar të përpunimit të plotë të dokumenteve.
Këtu mund të ndiqni deklaratën e plotë të Autoritetet të Dosjeve.
/k.m/