Gjetjet e raportit të monitorimit mbi shkeljen e etikës në media
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/01/Untitled-design.jpg)
Ditën e sotme, Këshill i Shqiptar i Medias prezantoi gjetjet e projektit të monitorimit të mediave mbi shkeljen e Kodit të Etikës.
Projekti i monitorimit, i mbështetur nga Civil Rights Defenders në Shqipëri dhe i udhëhequr nga gazetari Sokol Shameti përfshiu një periudhë monitorimi nga muaji gusht i vitit 2018 deri në muajin aktual janar 2019 dhe monitoroi 40 media online, kryesisht portale mediatike, gazeta dhe televione në formatin online të tyre si dhe media sociale. Përgjatë periudhës së monitorimit u hasën gjithsej 1280 shkelje të Kodit të Etikës në 35 nga 40 media të vëzhguara.
Sipas raportit të dalë nga projekti i monitorimit, mediat të cilat merren kryesisht me analiza të zgjeruara raportojnë më pak shkelje, ndryshe nga mediat e mëdha online të cilat prodhojnë dhe një numër më të madh lajmesh në ditë.
Në mediat e monitoruara, shkeljet më të mëdha në numër të kodit përbëheshin nga raportimi problematik i procedurave gjyqësore, ku neglizhohet dukshëm prezumimi i pafajsisë për rastet e trajtuara.
Problematika e dytë më e hasur është mospërmendja e vendit të ngjarjes në titullin e lajmit dhe mungesa e profesionalizmit në shkrimin e titujve.
Të tjera shkelje përbëjnë mospërdorimi i saktë dhe i drejtë i gjuhës shqipe, dallimi i faktit nga opinioni, pavarësia editoriale dhe komercializimi i informacionit.
Një nga shkaktarët kryesorë të këtyre shkeljeve paraqitet fryrja e tejskajshme e tregut mediatik, ku aktualisht numërohen rreth 700 media online, gjë që sjell një mungesë të gazetarëve profesionistë për mbulimin e numrit të madh të mediave online, ul besueshmërinë e lexuesve dhe e bën më të thjeshtë sulmimin e mediave nga autoritetet dhe opinoni publik.
Në takimin ku u paraqitën gjetjet e raportit, u theksua nevoja për vetërregullimin e tregut mediatik dhe marrja e masave të mëtejshme për fuqizimin e Këshillit Shqiptar të Medias si një organ vetërregullues në përgjigje të problemeve aktuale, i cili do të siguronte dhe një mjedis më të sigurt për gazetarët dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre, një ulje të fenomenit të vetë-censurimit të gazetarëve dhe do të kontribuonte në pavarësimin e mëtejshëm të medias shqiptare./k.j