Në shtetin më të ri të Europës, skena artistike e grave dhe vajzave po udhëheq shpresën për ndryshim

Në Kosovë 57% e popullsisë është nën moshën 35 dhe midis grave papunësia shënon një normë prej 56.9%. Gazetarja Brigitte Hamaday ka sjellë në vëmendje shpresën për ndryshim dhe për një të ardhme më të mirë dhe si si gra dhe vajza artiste po udhëheqin këtë shpresë.
Me zhvendosjen e saj në Kosovë, ajo pati fatin të takojë me dhjetëra gra e vajza artiste, të cilat frymëzonin ndryshim përmes artit të tyre. Në sfidat e së përditshmes, ato përkrahin njëra-tjetrën dhe ashtu sic ndryshuan eksperiencën e Brigitte në Kosovë, duan të ndryshojnë dhe të ardhmen e shumë të tjerëve.
The Calvert Journal përzgjodhi 14 histori frymëzuese, të grave të guximshme të Kosovës. Në shkrim janë të përfshira: Nita Deda, Krenare Rugova, Erzë Pallaska, Fjolla Hoxha, kolektivi artistik HAVEIT, Besa Luci, Blerta Zeqiri, Oda Haliti, Vjosa Berisha, Edona Vatovci, Vlera Spahija, Shegë Shkodra, Ervina Halili dhe Teuta Hoxha.
Nita Deda e nisi rrugëtimin e saj në art përmes DokuFest si vullnetare dhe sot është drejtoreshë e Festivalit. Duke përmendur problematikat e Kosovës, ajo e sheh DokuFest si një dritare lidhëse me botën. Nita shprehet se si DokuFest ndihmoi në ringjalljen e jetës artistike dhe kinemasë në Prizren dhe sukseset e festivalit, si për shembull filmi me metrazh të shkurtër Home, i cili fitoi dhe një çmim në BAFTA.
Krenare Rugova, e njohur ndryshe si Kiki është një nga stilistet më me emër në Kosovë, e cila pas shkollimit në Francë u kthye në vendin e saj ku dhe sot jep mësim në Akademinë e Arteve të Prishtinës. Si një sipërmarrëse e suksesshme, ajo frymëzohet nga kultura vendase dhe shpesh herë përfshin punimet artizanale të grave në veshjet që krijon.
Erzë Pallaska është një blogere kosovare e cila përdorë veshje që i zotëron prej vitesh por që i kombinon në mënyra të ndryshme. Erza, nuk punon dhe e sheh angazhimin e saj si një profesion të suksesshëm në të ardhmen e që do të ndiqet nga shumë. Ajo shprehet se përmes artit, mund të përhapet fjala se Kosova është vërtet një vend i vogël, por ka potencial të madh.
Fjolla Hoxha është skenariste dhe ka vënë në skenë disa shfaqje në Teatrin Kombëtar. Ajo e nisi rrugëtimin e saj artistik përmes ngjyrave dhe veprimeve të vogla si lyerja e syve me ngjyra të ndryshme. Sot po angazhohet me shkrimin e një drame që flet për gratë në një luftë të trilluar civile. Ajo gjithashtu angazhohet në një projekt mbi martesat në moshë të re në komunitetin Ashkali në Kosovë.
Kolektivi Haveit, është një grupim artistik i themeluar nga dy grupe motrash. Haveit, u bënë një zë i fuqishëm i grave të vrara nga burrat e tyre. Ato më 8 mars të vitit të kaluar në qendër të Prishtinës, vendosën tre billborde me emrat e grave të vrara dhe me pyetjen “Edhe sa thirrje të humbura?”. Përmes lirisë së shprehjes, vajzat e Haveit kërkojnë të sjellin ndryshimin e shoqërisë kosovare. Ato janë angazhuar dhe në mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, përfshirë komunitetin LGBTI në Kosovë.
Besa Luci është bashkëthemeluesen e Kosova 2.0, një revistë politike dhe kulturore e cila u printua për herë të parë në vitin 2011, vit i shoqëruar me trazira në Kosovë. Në këtë vit Kosova filloi të akuzohej për krime lufte e po krijohej një imazh i gabuar për shtetin më të ri të Europës, për të cilin ende sot revista Kosovo 2.0 po përpiqet të pasqyrojë realitetin.
Regjizorja Blerta Zeqiri i ka sjellë Kosovës çmime të mëdha në kinematografi. Suksesi i saj i fundit, filmi Martesa trajton problematikën e individëve LGBT në Kosovë. Produksionet e saj udhëhiqen nga skuadra ku gratë dhe vajzat janë më të shumta në numër dhe po bëjnë xhiron e botës.
Oda Haliti është një DJ dhe sipërmarrëse. Ajo është një nga bashkëthemelueset e FemArt, festivali feminist që mblodhi 100 artiste gra dhe vajza, të cilat trajtonin përmes artit të tyre tematikat e pabarazisë dhe problemet e shumta sociale në Kosovë. Ajo gjithashtu është një DJ shumë e ndjekur dhe një nga problemet që has në punën e saj, është mungesa e libralizimit të vizave nga shtetet europiane.
Vjosa Berisha, organizatorja e Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës, synon që përmes punës së saj të frymëzojë të rinjtë kosovarë për të sjellë ndryshim social në vend. Dhe ajo u rikthye pas studimeve në Kosovë dhe pas angazhimeve te shumta në fushën e komunikimit, vendosi të krijojë PriFest, i cili mbledh skenaristë e producentë nga i gjithë Ballkani dhe jo vetëm.
Edona Vatoci është një këngëtare e re, e cila e pakënaqur me studimet e saj, braktisi shkollën për të ndjekur karrierën e saj muzikore. Vetëm 19 vjec, ajo ka nisur të shkruj këngët e saj dhe synon të kthehet në një shembull për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm në Kosovë.
Vlera Spahija është sipërmarrëse dhe pronare e Klub-M, ku artistë, muzikantë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, mblidhen fundjavave në Prishtinë. Ajo është përpjekur ta kthej klubin e saj në një hapësirë ku përqafohet diversiteti dhe inkurajohet shkëmbimi i ideve.
Shegë Shkodra është e angazhuar në uljen e shkallës së papunësisë në Kosovë. Në një projekt të mëprarshëm, ajo merrej me gratë dhe trajnimet e nevojshme për integrimin e aftësive të tyre profesionale në tregun e punës.
Poetja Ervina Halili filloi të shkruante në moshën 11 vjecare në vitin 1997, kur zbuloi makinën e shkrimit të babait të saj. Pas peripecive të luftës, ajo ktheu kujtimet e saj në vepra letrare dhe disa vite më vonë botoi dhe librin e saj të parë.
Teuta Hoxha është një juriste, aktiviste politike dhe arkeologe. Një nga organizatoret e marshimeve të shumta politike në Prishtinë, ajo përpiqet që të trejtojë gjithmonë problematikën e pabarazisë. Pas studimeve për arkeologji, u mor për 7 vite me gërmime në Ulpianë dhe sot drejton Iniciativën Rinore për të Drejtat e Njeriut.
Këto janë vetëm disa nga historitë frymëzuese të dhjetra artisteve kosovare. Për të lexuar shkrimin e plotë në anglisht, vizitoni The Calvert Journal. / k.j
- Nita Deda
- Krenare Rugova
- Erza Pallaska
- Fjolla Hoxha
- Kolektivi Haveit
- Besa Luci
- Blerta Zeqiri
- Oda Haliti
- Vjosa Berisha
- Edona Vatoci
- Vlera Spahija
- Shege Shkodra
- Ervina Halili
- Teuta Hoxha