Çdo ditë, Marlene Schiappa merr mesazhe online që përmbajnë fyerje apo urrejtje. Si ministre e Francës për Barazi midis Burrave dhe Grave, asaj i dërgohen thuajse përditë fotografi dhe video ku duken të brendshmet e saj në publik ose të tjera imazhe fyese me fytyrën dhe emrin e saj.
“Ju jeni bushtër e Macron-it”, thuhet në një nga postimet në faqen e saj të Facebook. “Kurva e Elysee duhet të mendojë për mbylljen e këmbëve të saj”, thotë një tjetër. Gjuha e urrejtjes online duket se po kthehet në një fenomen shqetësues në Francë dhe jo vetëm për personazhet publike apo politikanet.
Schiappa foli kundër ngacmimeve që ajo merr në internet në një postim në rrjetin social Twitter të mërkurën, duke postuar imazhe të mesazheve dhe teksteve që po shkruhen në lidhje me të.
Por ky nuk është një shqetësim vetëm për ministren franceze. Meqë mbi 4 miliardë njerëz kanë të mundur qasjen në internet, urrejtja online është shtuar pa pushim, deri në atë pikë sa Kombet e Bashkuara u detyruan të lëshojnë Rekomandimin e Përgjithshëm nr. 35 për luftimin e fjalimit racist dhe gjuhës së urrejtjes në vitin 2012. Më vonë, UNESCO publikoi një botim mbi mënyrat se si mund të luftohet gjuha e urrejtjes online.
Tashmë, rasti i Schiappas në internet ka sjellë në qendër të vëmendjes masat që duhet të ndërmerren nga qeveria franceze kundër këtij fenomeni.
Çështja ka qenë në vëmendje për një kohë të gjatë, që pas një raporti të veçantë mbi komentet raciste dhe anti-semitike, i hartuar nga parlamentarja Laetitia Avia, profesori Karim Amellal dhe mjeku Gil Taieb dhe i botuar në shtator 2018.
Schiappa i ka thënë radios kombëtare franceze që një ekip po punon për të depozituar një ligj kundër gjuhës së urrejtjes në internet. Ligji nuk do të jetë vetëm për shqetësimin mbi vërejtjet seksiste, por do të përfshijë edhe përmbajtjet raciste dhe anti-semite në internet.
Rasti i Francës ka sjellë reagim dhe në qeveritë e ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilat gjatë viteve të fundit kanë rritur masat mbi parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve online. / k.j
Burimi: Euronews