Rreziku që i kanoset parkut natyror të Zagorisë
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/01/Photo_5-min-960x640.jpg)
Në korrik të vitit të shkuar qeveria shpalli zonë të mbrojtur parkun kombëtar të Zagorisë, për shkak të pasurive natyrore dhe kulturore që e gjithë zona ka. Parku Natyror i Zagorisë përfshin rreth 25 mijë hektarë ku përzihen peizazhe malore, fshatra të vegjël karakteristikë, monumente të trashëgimisë kulturore dhe natyrore si hdhe vlera të botës bimore dhe shtazore.
Nuk u desh shumë derisa parku natyror i sapo-shpallur, të rrezikohej nga interesat ekonomike të qeverisë. Ministria e Energjitikës ka autorizuar kompaninë shumëkombëshe të naftës “Shell”, të kryejë rreth 3.000 shpime pusesh në territorin e parkut, për të vlerësuar potencialin naftëmbajtës të “Bllokut 4”.
Kompania “Shell” është duke hedhur me shpejtësi të gjithë hapat që do të çojnë drejt kthimit të zonës së mbrojtur të Zagorisë, i shpallur Park Natyror Kombëtar, në një rajon kërkimi për naftë dhe gaz natyror.
Gjatë një dëgjese publike, ku pritej të sqaroheshin pasojat në mjedis, shëndet, zhvillimin e turizmit, habitatin natyror dhe kulturor të zonës së mbrojtur, u fol vetëm përgjithësisht, ndërsa pjesëmarrja e grupeve të interesit ishte e ulët. Në takim ishin ftuar dhe autoritetet e qeverisjes lokale dhe drejtoritë rajonale të kulturës, të cilët nuk kërkuan informacion më të detajuar mbi pasojat e kërkimit të naftës në mjedis dhe objektet kulturore të zonës së mbrojtur.
18 monumente kulture të kategorisë së parë, në një gjendje të brishtë, gjenden brenda territorit të ndërhyrjes së “Shell”-it. Kompania ka vendosur vetëm një distancë prej 200 m nga çdo monument, por nuk është në gjendje të flasë për efektet që mund të kenë shpërthimet me eksploziv mbi këto objekte.
Gjatë dëgjesës publike, z. Vasil Polo, që u prezantua si Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës, e shpenzoi kohën e tij të diskutimit për sasinë e naftës do të përfitonte Shell dhe Shqipëria në raport me njëri-tjetrin, por jo mbi problematikat apo presionet që do të ballafaqoheshin në monumentet e trashëgimisë kulturore që shtrihen në territorin e zbatimit të projektit (kisha dhe manastire bizantine, kryesisht të kategorisë së parë).
Dëgjesat do të përfundojnë për pak ditë. Ato do të kryhen në të gjitha bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës. Më pas, me raportin përfundimtar të dëgjesave, kompania do t’i drejtohet Ministrisë së Mjedisit për Deklaratën Mjedisore, marrja e së cilës, u hap rrugën inxhinierëve të Shell për nisjen e shpimeve në terren. / k.j
Burimi: Porta Vendore / Mapo