Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin, pezullohet mësimi në disa qytete

Temperaturat e acarta dhe dëbora e rënë mbrëmjen e kaluar në pjesën më të madhe të vendit, kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim në disa rrugë të vendit. Reshjet që nisën mesnatën e mbrëmshme kanë qenë intensive gjatë gjithë natës dhe po vazhdojnë ende në shumë qytete, duke vështirësuar qarkullimin në qytet dhe në akset nacionale.
Dëbora ka mbuluar Gjirokastrën, Korçën, Elbasanin, Dibrën, Shkodrën si dhe qytete të tjera të vendit. Në Gjirokastër, Pukë dhe Fushë Arrëz është pezulluar mësimi për ditën e sotme në të gjitha shkollat. Edhe në Shkodër dhe Lezhë është pezulluar mësimi në disa shkolla si pasojë e reshjeve të borës dhe vështirësimit në qarkullim. Temperaturat e ulëta dhe mungesa e ngrohjes në shkolla ka sjellë një shkurtim të orëve mësimore dhe në shkollat e qyteteve.
Akset e bllokuara dhe ku ka vështirësi në qarkullim përfshijnë rrugën drejt Kakavijës në Gjirokastër, aksin Tepelenë-Gjirokastër, Përrenjas-Qafë Thanë, akset Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë, Korçë-Pustec. Rruga nacionale drejt Korçës është e kalueshme, por në disa segmente lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë. Situata problematike paraqitet dhe në rrethin e Bulqizës dhe në rrugët e fshatrave, të cilat në zonat malore të vendit janë të bllokuara.
Reshjet e dëborës kanë zbritur edhe në zonat e ulëta. Tirana është zbardhur në orët e para të mëngjesit, por reshjet kanë qenë me intensitet të dobët./k.j
Burimi:Balkanweb