Gjyqtari kërkon favore seksuale në këmbim të dhënies së kujdestarisë
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/01/gjyqtari-1-933x445.jpg)
Një histori tronditëse u publikua në emisionin “Stop”, ku një nënë ka denoncuar rastin e saj. Qytetarja u përball me kërkesën e gjyqtarit të Fierit Roland Hysi për raporte seksuale dhe para, vetëm për të siguruar kujdestarinë e fëmijës së saj. Në kamerën e fshehtë përfshihen disa gjyqtarë dhe psikologia Elona Meçani, që bën edhe rolin e sekseres.
Gjyqtari Roland Hysi i kërkon favore seksuale në këmbim të dhënies së kujdestarisë së fëmijës. Po kështu zonja i jep psikologes 500 euro për Hysin, duke i premtuar edhe 500 euro të tjera në mbyllje të gjyqit.
Pas transmetimit të video regjistrimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda njoftoi sot nisjen e procedimit penal ndaj tij për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë”. “Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë duke u kryer veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësisë penale të personave të përfshirë.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për rastin në fjalë ka reaguar dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, një nga institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi. “Këshilli Lartë Gjyqësor, duke vlerësuar sjelljet dhe veprimet e gjyqtarit në raport me ligjin, nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarje, nga strukturat përkatëse.”-thuhet në njoftimin shpërndarë mediave.
Rasti në fjalë është një nga denoncimet e shumta dhe video-përgjimet që kanë nxjerrë zbuluar korrupsionin në institucionet e drejtësisë dhe në jo pak raste dhe kërkimin e favoreve seksuale./k.j