![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/01/3500.jpg)
Kleriku Barbarin gjatë seancës gjyqësore
Kardinali francez Philippe Barbarin doli në gjyq ditën e djeshme për akuzat e fshehjes së krimeve seksuale brenda Kishës Franceze. Ai mbrojti veten kundër akuzave se nuk raportoi një prift për abuzim seksual, duke thënë në sallën e gjyqit se Vatikani kishte kërkuar nga ai “të shmangte një skandal publik”. “Autoriteti im është Roma,” shtoi ai.
Kleriku Barbarin dhe pesë anëtarë të tjerë të dioqezës së tij u paraqitën të hënën në Gjykatën e Lartë në Lion për t’u gjykuar për akuzën e mbulimit dhe fshehjes së skandaleve seksuale. Barbarin është kleriku më i lartë i akuzuar për fshehje të skandaleve seksuale. Ai konsiderohej si një nga personat më me influencë në Vatikan dhe është përfolur dhe si një Papë i mundshëm.
Gjyqi, i cili nisi të hënën në qytetin lindor të Lionit, ka tërhequr shumë vëmendje mediatike.
Skandali përfshiu priftin Bernard Preynat, i cili ka pranuar tashmë akuzat për abuzim seksual të djemve të mitur në vitet 1980 dhe 1990. Viktimat e këtij skandali besojnë se drejtuesit e mëdhenj të Kishës Katolike Franceze ishin të vetëdijshëm për abuzimet dhe pas vitit 1990 e transferuan Preynat në një famulli të një qyteti të vogël francez.
Pas akuzave, Kardinali Barbarin, i cili u bë Kryepeshkop në vitin 2002 dhe kardinal në vitin 2003, ka thënë se ai zbuloi skandalin e abuzimit në vitin 2007 dhe e largoi priftin nga detyrat e tij në vitin 2015.
Skandali është një nga të shumtët që ka goditur vitet e fundit Vatikanin, mes kërkesave në rritje në shumicën e botës katolike për një llogaridhënie mbi dekada të tëra të mbushura me raste të abuzimit seksual nga kleri katolik. /k.j
Burimi: Euronews