Duket se nuk po i vjen fundi protestës së banorëve të Unazës së Re. Ajo që filloi si një kundërshtim i vendimit të qeverisë për prishjen e banesave për shkak të zgjerimit të rrugës, duket se po kthehet në një protestë më të gjerë ku po përfshihen banorë të zonave të tjera të Tiranës, artistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, analistë e gazetarë si dhe përfaqësues politik të opozitës.
Të ndikuar nga “jelekverdhët” e Francës që po protestojnë kundër vendimit për rritjen e çmimit të naftës, protestuesit ditët e fundit kanë veshur jelekë portokalli për tu identifikuar me kauzën.
Prej ditësh protestuesve në Unazën e Re, u janë bashkuar aktorë të Teatrit Kombëtar dhe përfaqësues së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët prej muajsh vazhdojnë të mblidhen përditë në oborrin e Teatrit Kombëtar për mbrojtjen e godinës dhe të trashëgimisë.
Ditën e sotme protestës ju bashkuan dhe qytetarët e zonës së Shkozës, të cilëve gjithashtu u rrezikohet tu prishen banesat. Ata kanë bllokuar rrugën dhe qarkullimin duke vendosur kazanët e mbeturinave përgjatë saj ndërsa kanë ndezur edhe zjarre.
Gjatë pasdites, protestuesit bllokuan sërish Unazën duke i bërë thirrje qeverisë për anulimin e vendimit. Analisti Fatos Lubonja gjatë prononcimit të tij tha se i është bashkuar protestës si qytetar i këtij vendi, ndërsa u shpreh se duhet rrëzuar kjo qeveri që po shkon nga krimi në krim.
“Unë kam ardhur sepse kjo nuk është vetëm çështje e Astirit, pasi ka ndodhur kudo. Unë kam ardhur këtu si qytetar, pasi kjo është çështje e të gjithëve. Ne duam t’u japim kurajo qytetarëve sepse po shkelet ligji. Unë kam ardhur si qytetar dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve në Tiranë e kudo në Shqipëri, se kjo është një çështje e rëndësishme. Kurajoja e protestuesve është nxitje për rezistencë edhe nga e keqja që e ka kapur vendin.” – deklaroi Lubonja.
Dita e sotme shënon ditën e 31 të protestës. Banorët shprehen se do të vazhdojnë rezistencën ndërkohë që autoritetet po vijojnë prej disa ditësh me prishjen e banesave që preken nga projekti i zgjerimit të rrugës./ k.j