Një “provokim” i Kadaresë për të kuptuar Veliajn

Nga Kristi Pinderi
Në mes të viteve 2000, kur punoja në Lëvizjen Mjaft! një grupim parapolitik në shërbim dhe i financuar direkt nga Partia Demokratike sajoi një histori të shëmtuar, sipas së cilës drejtuesit e MJAFT-it ishin homoseksualë (termi gej apo LGBT ishte ende i panjohur në diskursin publik).
Historia ishte e shëmtuar pasi autorët e atij kurthi kishin përdorur jashtë kontekstit disa foto të bëra në një “kitsch party” (aq të padëmshme ishin menduar ato foto sa ishin botuar edhe në vetë faqen e MJAFT-it) dhe me to kishin botuar mijëra kopje të një fletushke që e kishin shpërndarë si fletë rrufe nëpër Tiranë.
Ai botim i ndyrë (disa nga autorët që sot kanë ndryshuar mendim, besoj e mbajnë mend atë episod si një gjë të turpshme në karrierën e tyre) bënte thirrje për urrejtje jo vetëm ndaj njerëzve të MJAFT-it, por duke kapitalizuar mungesën totale të informacionit që mbizotëronte atëherë, bënte një thirrje të hapur urrejtjeje për këdo që mund të perceptohej si homoseksual (sërish pra termi gej ishte ende i papërdorur).
Jo vetëm që ishte diçka e shëmtuar dhe e ligë, por ishte e dënueshme edhe ligjërisht.
Në vorbullën e këtij episodi na erdhi për vizitë shkrimtari Ismail Kadare. I gjithë stafi i paguar i MJAFT-it dhe disa vullnetarë u ul në tavolinën e madhe në katin e parë ku zhvillonim zakonisht mbledhjet e mëngjesit, tek vila në rrugën e Elbasanit. Në krye, u ul Kadare. Në të djathtë e në të majtë të tij u vendosën përkatësisht Arbi Mazniku, Erion Veliaj dhe Endri Fuga.
Si një gej i fshehur që jetontë atë kohë një jetë të fshehtë dhe të dyfishtë, i frikësuar nga pasojat që mund të kishte dalja ime hapur, po e ndiqja me aq vëmendje e me frikë fjalimin mbi homoseksualizmin që na ka mbajtur Kadare atë mëngjes saqë më duket sikur nuk ka ndodhur këtu e dhjetë vjet më parë, por sikur ka ndodhur para 10 ditësh.
Ndjeva një tronditje kolektive në grup, të përhapur në të gjithë tavolinën e gjatë, sikur dikush ti kishte goditur njëkohësisht në kockën e këmbës që të gjithë, me forcë. Aty për aty pashë disa lëvizje të çrregullta të trupit të atyre që ndodheshin në krye të tavolinës, ngjitur me Kadarenë, të cilët dukeshin të bezdisur, të çoroditur dhe haptazi të shqetësuar kur shkrimtari tha: “E çfarë pastaj se ca nga ju këtu mund të jenë homoseksualë?!”
Mirëpo Kadare duket se atë ditë kishte vendosur që provokimin përzjerë me cinizëm ta çonte deri në fund. Duke e ndjerë tronditjen që kishte shkaktuar kjo ftesë e hapur për të mbajtur një qëndrim, qoftë edhe mbyllur në zyrë në mes të katër mureve larg vëmendjes, ai vazhdoi: “Nuk ka asgjë anormale që dikush të jetë homoseksual. Anormale do të ishte sikur këtu mes nesh mos kishte 4-5 të tillë!”
E vërtetë është që mes atij grupi të rinjsh e të rejash të emancipuar, shumica të shkolluar jashtë Shqipërisë, pasioni për drejtësinë sociale, e për pasojë edhe për çështje apo kauza të tilla si lufta kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual ishte shumë më I zbehtë se pasioni që kishin disa prej atyre të rinjve për pushtetin.
Mes drejtësisë dhe pushtetit, kjo e dyta ishte më prioritare.
Mes vërtetësisë së kauzave shoqërore dhe fasadës së imazhit politik, kjo e dyta ishte investim më i shpejtë.
Ndaj unë e besoj Erin kur flet ashtu për policen që rrezikon të mos martohet për shkak të humbjes së gishtërinjve. Ai ashtu mendon vërtet…
Mes vezullimit emancipues me të cilin disa nga ata të përpleksuarit e tavolinës me Kadarenë janë kujdesur ta rrethojnë veten (disa, jo të gjithë) fshihen, në fakt, njerëz të kompleksuar.
Ata që i konsiderojnë shpellarë njerëzit që nuk votojnë për ta!
Ata që mendojnë se mungesa e një gishti të bën të padenjë për dashuri.
Ata që edhe eventet personale të dashurisë i kanë konsideruar si oportunitete për të llamburitur më shumë vezullimin fallco të imazhit të rrejshëm.