Dita Ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave
1 në 3 gra dhe vajza janë viktima të dhunës së paktën 1 herë gjatë jetës së tyre.
Dita e sotme shënon Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Data është e bazuar në datën e vrasjes së vitit 1960 të tre motrave Mirabal, aktiviste politike në Republikën Domenikane; vrasjet u urdhëruan nga diktatori i atëhershëm Dominikan Rafael Trujillo. Në vitin 1981, aktivistet feministe të Amerikës Latine dhe Karaibeve shënuan 25 nëntorin si një ditë për të luftuar dhe rritur ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave. Më 17 dhjetor 1999, data u kthye në një datë ndërkombëtare nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Dhuna paraqitet në forma të ndryshme e secili prej nesh duhet të luajë rolin që i takon e të përpiqet për parandalimin dhe eleminimin e dhunës ndaj grave e vajzave. Në shumë vende të botës mbetet ende problem fenomeni i martesave të detyruara, dhunës në familje, mutilimit të gjenitaleve, ngacmimit seksual etj dhe situata nuk duket aspak pozitive as në vendin tonë.
Sot inkurajohen të gjithë përkrahësit e lëvizjes për eleminimin e dhunës që të postojnë diçka portokalli për të ndërgjegjësuar më tepër në dhënien fund të fenomeneve të tilla. / k.j’