Intervistë me Svetlanën, transgjinoren nga Turqia
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/11/SVETIIIII-533x640.jpg)
Në kuadër të nëntorit, si muaj i ndërgjegjësimit për komunitetin trans dhe problematikat e tij, HistoriaIme vendosi ti dedikojë hapësirë pjesëtarëve të këtij komuniteti, që vijnë prej vendesh të ndryshme. Me qenë se jemi fokusuar më së shumti në rajonin e Ballkanit, këtë herë vendosëm të shkonim përtej. Atëhere takuam Svetlanën!
Ajo është një aktiviste transgjinore nga Turqia, feministe e flaktë dhe ka zgjedhur të ndajë me ne se si ajo arriti të përqafojë identitetin e saj të vërtetë gjinor. Kur morëm vesh se është nga Turqia, menduam se një pjesë e mirë e intervistës do të bazohej në sfidat që ajo ndesh në të jetuarit si transgjinore në një shtet si Turqia. Mirëpo u surprizuam kur pamë se sa miqësor ishte lagjja ku ajo jetone, shkolla dhe rrethi i miqve në lidhje me identitetin e saj gjinor.
Me plot gojë mund të themi se ajo jeton lirshëm si transgjinore në Stamboll. Për më shumë detaje, ndiqni intervistën e mëposhtme:
Kur e ke kuptuar për herë të parë që je transgjinore?
Svetlana është një emër që e kam krijuar kur iu bashkoha shfaqjeve si “drag queen”. Kjo ka ndodhur dy vite më parë. Në të njëjtën kohë që bëja “drag”, nisa të vë në pikëpytje gjininë time. Arrita të kuptoj brenda vetes sime se Svetlana nuk është thjesht një emër, por ajo çfarë unë dua të jem çdo ditë dhe në çdo moment.
Për këtë arsye luftoj që çdo ditë të jem më shumë Svetlana sesa Serkan. Ndaj e kuptova këtë verë se kush isha unë në të vërtetë. Unë nisa të marr hormone menjëherë pas verës.
Si arrite ti marrësh këto hormone? Ke nisur një terapi pas vizitës mjekësore?
Jo, nuk kam shkuar për vizitë tek ndonjë mjek për shkak të transfobisë. Gjithashtu mjekët përpiqen gjithnjë të të bindin se nuk jam transgjinore. Ndaj po i marr hormonet pa recetë mjekësore. Këtu mund ti marr në çdo farmaci. Jam e ndërgjegjshme që do të ishte shumë më mirë të bëja vizitën tek doktori por vendosa të ndjek këtë rrugë, edhe pse ekzistojnë doktorë që janë miqësorë ndaj komunitetit LGBTI+.
A është në dijeni familja të identitetit tënd gjinor?
Jo, ata nuk e dinë për këtë gjë. Unë nuk jetoj me ta dhe i vizitoj vetëm dy herë në vit. S’iu kam treguar dhe nuk besoj se do të reagonin pozitivisht nëse do tju thoja. Mbase do ti përqasem në një moment tjetër të tranzicionit tim gjinor, kur të realizoj kirurgjinë e ndryshimit të seksit.
Po sa i përket jetës në universitet, a ndihesh e lirë të shprehësh identitetin tënd gjinor? Nëse po, a ke hasur bullizëm?
Unë studioj në një universitet progresiv në Turqi. Mjedisi atje është shumë miqësor ndaj komunitetit transgjinor. Unë shkoj në leksione me paruken të veshur, me tualet…Gjithashtu jetoj në kampus. Asnjëherë nuk jam ballafaquar me ngacmime ng profesorët, studentët etj. Ekziston një komitet për parandalimin e ngacmimeve seksuale brenda universitetit por edhe në zonën përreth.
Komiteti ofron shërbim ligjor falas, konsulencë psikologjike, hapësirën për të bërë telefonata emergjente etj.
A ke marrë pjesë në ndonjë manifestim, protestë, paradë për të drejtat LGBT+ në Turqi?
Për shkak të ultimatumës së vënë në Turqi ndaj paradave të krenarisë, ne zakonisht si komunitet i bashkohemi Paradës së Grave, duke u rreshtuar në radhën e aleatëve “queer”. Ne marshojmë së bashku por vendosim gjatë një konkursi veror se kush do të jetë personi transgjinor që do të jetë në rreshtin e parë të kësaj radhe aleatësh. Vitin tjetër mund të jem unë, ku i dihet…
/k.m/