Fotoreportazh: Cryptoparty në Tiranë, të drejtat dixhitale dhe si të sigurohemi online
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/11/IMG_4978.jpg)
Siguria online, “fake news” dhe mbrojtja e të dhënave personale janë bërë kohët e fundit disa prej temave më të debatuara në botë. Që prej skandaleve të fundit si ai i Cambridge Analytica, Wikileaks etj rëndësia për të lobuar për të drejtat dixhitale është bërë gjithnjë e më e madhe.
E pikërisht për tu njohur më mirë me këto çështje ka lindur koncepti i cryptoparty-it. Sipas përkufizimit, një cryptoparty është një lëvizje e decentralizuar me aktivitete të cilat ndodhin vazhdimisht në të gjithë botën. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është transferimi i dijeve tek sa më shumë individë për të mbrojtur veten në botën digjitale.
Kjo përpjekje globale synon të prezantojë tek publiku i gjerë bazat e kriptografisë në teori dhe praktikë, si komunikimi i enkriptuar, parandalimi i përgjimeve kur navigojmë në internet, anonimiteti në rrjetin Tor, kriptografia me çelës publik, enkriptimi i diskut, rrjetet private virtuale (VPN) etj.
Fatkeqësisht vëmendja për një çështje e cila po konsiderohet gjithnjë e më seriozisht në të gjithë botën, në Shqipëri ende nuk merr vëmendjen e duhur. Edhe pse aktivistë në të gjithë botën përgjohen masivisht dhe janë një nga target grupet më të sulmuar, duket se metodat për të siguruar veten online dhe mbrojtur të drejtat dixhitale janë ende një terren i pazbuluar.
Por kjo nuk e ka penguar një grup aktivistësh nga Organizata Politike së bashku me të interesuar të tjerë të ndjekin një CryptoParty, i cili u zhvillua fundjavën e kaluar pranë ambjenteve të Logut të Shkëndijes. Aktiviteti në fjalë u inicua nga organizata Open Labs hackerspace, modestisht i vetmi komunitet që promovon në Shqipëri teknologjitë me kodburim të lirë dhe të hapur, të dhënat e hapura, standartet e hapura teknologjike si dhe privatësinë online.
Aktivistët u njohën me aplikacione që detektojnë censurën online, mësuan metoda se si të navigojnë në Internet pa u përgjuar etj. Më poshtë mund të gjeni foto nga aktiviteti i zhvilluar:
Aktiviteti pati mbështetjen e organizatës “Civil Rights Defenders” dhe Ambasadës suedeze dhe do të jetë një prej aktiviteteve të zhvilluar në formën e Cryptoparty-it, të fokusuar në fokus grupe të ndryshme. Këtë herë cryptoparty u zhvillua me grupin e aktivistëve të OP, ndërsa ai i radhës do të jetë me gazetarë, një grup tjetër të cilët duhet të ndërgjegjësohen për privatësinë online, sidomos kur i përkasin gazetarisë investigative./k.m/