Shkrimtarja kineze dënohet me 10 vite burg për shkak të novelës së saj me përmbajtje erotike

Një shkrimtare kineze është dënuar me 10 vite burg për shkrimin dhe shpërndarjen e novelave me përmbajtje homoerotike, duke provokuar një debat të madh në internet në lidhje me ashpërsinë e dënimit të saj.

Kopja e novelës së ndaluar me përmbajtje homoerotike
Shkrimtarja femër, e mbiquajtur Liu, por më së shumti e njohur nga pseudonimi i saj në internet Tianyi, u arrestua në vitin 2017 pas suksesit të romanit të saj “Okupimi”, sipas njoftimeve në mediat shtetërore kineze. Libri u përshkrua nga policia si propagandë mbi “sjelljen e turpshme seksuale mes meshkujve” të maskuar në temën e “dhunës, abuzimit dhe poshtërimit”.Megjithëse dënimi është dhënë më datë 31 tetor, rasti i Liu vetëm kohët e fundit u soll në vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pas publikimit në portale të ndryshme dhe në rrjete sociale.
Shkrimet me përmbajtje homoerotike janë kthyer në shumë popullore gjatë viteve të fundit. Veprat e quajtura ndryshe si “dashuri djemsh”, janë shtuar shumë në Kinë, në një industri që po lulëzon falë autorëve të vetë-botuar e që nxjerr qindra tituj të rinj çdo muaj.
Shkrimtarja Liu mendohet se ka realizuar më shumë se 21 mijë dollarë fitime përmes shitjes së novelës së fundit dhe të tjera veprave.
Prodhimi dhe shitja e pornografisë mbetet e ndaluar rreptësisht në Kinë. Megjithatë, ndëshkimi i ashpër i dhënë në këtë rast ka shkaktuar zemërim në mesin e përdoruesve të mediave sociale. Shumë prej përdoruesve kanë shprehur zemërim për mospërputhjet e dukshme midis dënimit të saj dhe dënimeve që u janë dhënë kriminelëve të dhunshëm, duke theksuar se sipas ligjit kinez, përdhunuesit janë të detyruar të marrin dënime që variojnë nga tre deri në dhjetë vite burg.
Vetëm gjatë ditës së fundit ka pasur më shumë se 1.7 milion postime duke përdorur hashtag-un #Tianyi në Weibo, versioni kinez i Twitter, ku shumica e përdoruesve janë në mbrojtje të Liu dhe kundër ligjeve kaq të ashpra të censurës./ k.j
Burimi: CNN