Flet ish i persekutuari politik pas leximit të dosjes “Më duket sikur akoma jam i survejuar”
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/11/Peshkëpia-e1540993370321.jpg)
Dialogimi për të shkuarën si pjesë e drejtësisë tranzicionale ishte tema e aktivitetit “Lexim publik i dosjes së një ish-të persekutuari politik” të zhvilluar javën e kaluar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
Padyshim që këto dosje kanë qenë për shumë vite një nga temat më të debatuara në opinionin publik. Ndaj hapja e dosjeve simbolizon hapjen e kutisë së pandorës, duke hedhur dritë mbi ngjarje dhe agjentë të Sigurimit.
Dosja e zgjedhur për këtë aktivitet ishte ajo e z. Gëzim Peshkëpia, një ndër personat e persekutuar nga regjimi komunist i asaj kohe. Aktiviteti ishte konceptuar në formën e një paneli të përbërë nga: vetë protagonisti z. Peshkëpia, Selami Zalli, Drejtori i Informacionit pranë AIDSSH, Nevila Nika, historiane e mirënjohur në çështjet e komunizmit shqiptar. Paneli u moderua nga Edlira Agolli, pjesë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Aktiviteti erdhi në jetë pas kërkimit të dokumentacionit në arkiva dhe përgatitjes së dosjes së z. Peshkëpia nga AIDSSH, e cila u prezantua nga Selami Zalli me ekspertizën e duhur që ky lloj aktiviteti kërkon.
Të lexuarit e një dosje të tillë sjell emocione të forta për të gjithë, e sidomos për personat e prekur drejtpërdrejt. Pas leximit të dosjeve natyrshëm na lind pyetja: si ishte ballafaqimi i dosjes nga ish- i persekutuari politik. Z. Peshkëpia rrëfeu emocionet e provuara, duke dhënë përgjigjen:
“Më ngjallet një ankth, më duket sikur akoma jam i survejuar e sikur prap rrezikoj të futem në burg. Që nga momenti kur pashë dosjen kam ndjerë zhgënjim për personat që më kanë përndjekur. Brenda meje lind dilema: duhet të shkoj unë ti them atij më kërko falje apo është ai vetë që duhet të vijë tek unë”.
Historiku
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, zakonisht referuar si Sigurimi, ishte shërbimi i Sigurimit Kombëtar, inteligjencës dhe i policisë sekrete të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ai u organizua më tej në seksione që mbulonin kontrollin politik, censurën, të dhënat publike, burgjet, trupat e sigurisë së brendshme, trupat e sigurisë fizike, kundër-spiunazhin, dhe zbulimin e huaj.
Prezenca e OSBE në Shqipëri ka qenë një ndër entitetet e para ndërkombëtare që ka kontribuar në dialogimin me të shkuarën komuniste në Shqipëri. Rëndësia e këtij aktiviteti ishte në përfshirjen e publikut përmes ftesës së hapur për të dëgjuar së bashku me vetë personat e prekur përmbajtjen e dosjes.
/k.m/