Kur aktivizmi ndërthuret me art/ OMSA prezanton projektin “Youth Artivist for Change”
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/11/ARTIVIZËM.jpg)
Gjerësisht avancimi për të drejtat e njeriut shihet vetëm në prizmin e zërit lobues të aktivistëve dhe organizatave nga shoqëria civile. Rrallëherë shihet një mënyrë tjetër e avancimit për ndryshimin në shoqëri, si përshembull përmes artit dhe aktivizmit të ndërthurur së bashku. E pikërisht për të sjellur këtë qasje të re, organizata OSMA (Open Mind Spectrum Albania) së bashku me Ambasadën e Mbretërisë së Hollandës në Tiranë, organizatën partnere hollandeze Stichting Art.1, dhe organizatat partnere Shqiptare Në dobi te Gruas Shqiptare, Open Doors, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Akademia e Filmave dhe Multimedias MARUBI prezantuan javën e kaluar projektin “Youth Artivist for Change” (YAC).
Arbër Kodra, drejtori ekzekutiv i OMSA shprehu në fjalën hapëse rëndësinë e artit në lobimin për të drejtat e njeriut. “Megjithëse ka një dekadë lëvizjeje duke përshtatur strategjitë e advokimit perëndimor, ky projekt do të jetë një model i avancuar për Shqipërinë” u shpreh Kodra.
Ky projekt ndërthur artin me aktivizmin për të sjellur ndryshime në shoqëri, duke futur në Shqipëri një metodë novatore të të bërit aktivizëm për të drejtat e njeriut përmes mediumit të artit. YAC do të fokusohet në fuqizimin e regjizorëve të rinj, tregimtarëve, artistëve dhe aktivistëve të rinj në prodhimin e filmave dhe shfaqjeve për të drejtat e njeriut dhe të drejtave të LGBTIQ+ dhe barazisë gjinore në shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni.
“Arti është një instrument që sjell diskutim dhe dialogim në shoqëri me synimin për të sjellur impakt social” u shpreh Ambasadorja e Mbretërisë së Hollandës në Tiranë, Znj. Guusje Korthals Altes.
Pjesë e prezantimit të projektit ishin dhe Chris Belloni, drejtor ekzekutiv i “Stitching art 1.” dhe menaxheri i projektit të saj, Antonij Karadzoski. Në intervistën për “Historia Ime” Belloni tregon përshtypjet e tij rreth aktivizmit në Shqipëri dhe të implementuarit e një projekti si YAC në vend.
“Jam shumë i impresionuar kur pashë se sa shumë aktivistë dhe persona nga shoqëria civile shfaqën interes për aktivitetin tonë, duke marrë pjesë në aktivitetin e prezantimit të projektit. Në fakt prisja të shihja në aktivitetin promovues më shumë të rinj dhe artistë. Por kam besimin se përmes partnerëve lokalë do arrijmë të tërheqim në projekt më shumë artistë e të rinj. Mendoj se përmes këtij projekti mund të krijojë impakt social si dhe ndryshim në vend, jo vetëm në Shqipëri por edhe në shtete të tjera ballkanike si Kosova, Maqedonia, Serbia etj. Mendoj se Shqipëria përbën një rast të veçant për këtë projekt pasi ndryshimet në mentalitetin shoqëror janë të shpejta dhe progresive, duke e kthyer Shqipërinë në një vend model për tu ndjekur nga fqinjët në Ballkan!”
/k.m/ /a.a/