Të rinjtë marksistë të Kinës, të sulmuar nga qeveria pas deklaratave për mbrojtjen e punëtorëve

Një lëvizje e disa studentëve kinezë në nivel lokal, të udhëhequr nga aktivistë që e etiketojnë veten marksistë dhe që kërkojnë të drejta më të mëdha për punëtorët, është kthyer në një problem shqetësues për qeverinë kineze gjatë muajve të fundit.
Frika është duke mbizotëruar në kampuset e universiteteve elitare të Kinës, pas një goditjeje të qeverisë që synon të heshtë aktivistët e krahut të majtë, të cilët kishin bërë kohët e fundit një fushatë për të drejtat e klasës punëtore dhe kërkonin mbrojtje më të mëdha për punëtorët e zakonshëm.
Që nga gushti, të paktën nëntë aktivistë të rinj marksistë janë arrestuar në qytetet e mëdha anembanë vendit, në një përshkallëzim të mprehtë të fushatës së Pekinit kundër aktivizmit të studentëve në kampuset universitare.”I gjithë Universiteti i Pekinit është nën terrorin e forcave policore, të cilat po përndjekin të gjithë studentët. Pjesëmarrësit në të tilla aktivitete janë të rrezikuar, edhe sikur ata thjesht të kenë pranuar një fletëpalosje nga aktivistët”, tha një student në Universitetin e Pekinit për CNN të martën .
Të premten, një student i sapo diplomuar, u sulmua dhe u tërhoq me forcë në një makinë në universitetin e Pekinit nga disa njerëz të paidentifikuar. Janë të shumtë zërat se disa nga aktivistët tashmë prej ditësh janë zhdukur. Ata nuk po ndjekin më leksionet e miqtë e të afërmit s’kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.
Nën udhëheqjen e presidentit kinez Xi Jinping, Pekini ka goditur gjithnjë e më shumë të gjitha format e mospajtimit me qeverinë qendrore, duke sulmuar aktivistë të të drejtave të njeriut, grupet e punës dhe organizatat fetare. Analistët e kanë cilësuar qëndrimin e qeverisë si të frikshëm, të papërshtatshëm dhe absurd, pasi qeveria e udhëhequr nga Partia Komuniste teorikisht pro-punëtore, është duke goditur aktivistë që mbrojnë të drejtat e po kësaj klase sociale. / k.j