Gazetarët investigativë në Rumani nën presion politik pas zbulimit të politikanëve të korruptuar

Gazetarët investigativë rumun, të cilët kanë botuar pretendime rreth përfshirjes së politikanit më të fuqishëm të Rumanisë në afera korruptive, thonë se gjenden nën presion politik për të zbuluar burimet e tyre. Projekti RISE me bazë në Bukuresht, i cili ka mbledhur gazetarët më të mirë investigativë nga Europa Lindore, pretendon se zotëron një valixhe të plotë me dokumenta, që tregojnë mbi lidhjet e politikanit Liviu Dragnea me një firmë ndërtimi rrugësh të akuzuar për shpërdorim të fondeve publike.
Dragnea, i cili kryeson dhe Partinë Social Demokratike të Rumanisë (PSD), mohon akuzat, por para disa ditësh autoritetet anti-korrupsion filluan një hetim dhe akuzuan kryetarin e PSD për shpërdorim të 21 milion eurove dhe për lidhjen e kontratave të pakonsultuara.
Projekti RISE deklaroi ditën e sotme se zbulimet e deritanishme kanë shkaktuar shqetësimin e autoriteteve dhe se gazetarët kanë marrë kërcënime nga një agjenci qeveritare, e cila i ka bërë thirrje atyre të dorëzojnë të dhënat dhe të zbulojnë burimin e tyre për dokumentat.
“Të enjten kemi marrë një letër kërcënuese nga autoritetet e Rumanisë për mbrojtjen e të dhënave , duke na thënë se ne duhet të zbulojmë burimin tonë dhe t’i dorëzojmë dokumentet”, tha një prej gazetarëve, i cili pretendoi se agjencia kishte kërcënuar projektin me një gjobë prej 20 milionë eurosh . “Unë mendoj se ka presion politik dhe ka pasur presion mbi ne në të kaluarën”.
Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Rumanisë tha në një njoftim për shtyp se veproi pasi u njoftua për një “shkelje të mundshme të mbrojtjes së të dhënave”./k.j
Burimi: euronews