Sëmundja vdekjeprurëse e Ebolës duket se është rishfaqur në Afrikë. Këtë rradhë Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin më të keq të Ebola në historinë e vendit dhe shifrat e zyrtarëve vendas flasin për një situatë që pritet të përkeqësohet.
Më shumë se 200 njerëz kanë vdekur nga sëmundja që nga gushti dhe pothuajse 330 raste të konfirmuara ose të mundshme janë raportuar.
Ky shpërthim – i dyti dhe më i madhi këtë vit – filloi në provincën e Kivuut të Veriut përpara se të përhapet në provincën Ituri në lindje të vendit. Është e dhjeta herë që nga viti 1976 që Ebola ka goditur Republikën Demokratike të Kongos.
Ministri i Shëndetësisë tha të djelën se dhuna ndaj zyrtarëve shëndetësorë dhe civilëve nga grupet militante që luftojnë për kontroll në rajonin e prekur, kanë penguar përpjekjet për të mbajtur në kontroll shpërthimin e epidemisë.
Dy punëtorë shëndetësor vdiqën në një sulm, sipas ministrit, ndërsa muajin e kaluar 11 civilë dhe një ushtar u vranë në Beni, një qytet me 800,000 banorë, që është njëkohësisht dhe epiqendra e epidemisë.
Kongo ka kohë që është rrënuar nga paqëndrueshmëria politike, dhe ndërsa vendi përgatitet të mbajë zgjedhje të përgjithshme gjatë muajit të ardhshëm, situata është veçanërisht problematike dhe delikate.
Muajin e kaluar, OBSH vendosi që shpërthimi aktual i Ebolas në Kongo nuk plotësonte kriteret për një emergjencë të shëndetit publik me interes ndërkombëtar.
Këtë muaj, organizata tha se 27,000 njerëz ishin vaksinuar kundër Ebola në vend, por vunë në dukje se punëtorët e OBSH-së shpesh përballeshin me rezistencë nga disa komunitete për t’u lejuar atyre të vaksinojnë dhe varrosin të vdekurit për shkak të çështjeve të besimit dhe dezinformatave./k.j
Burimi:CNN