Parada EuroPride tërheq mijëra pjesëtarë të komunitetit LGBTI në Stokholm
Festivali Europian i Krenarisë | Foto: Ivana Dervishi, Stokholm, Suedi
Festivali Europian i Krenarisë, Europride u zhvillua këtë vit në kryeqytetin e Suedisë, në Stokholm ku tërhoqi rreth 60 mijë persona të cilët marshuan dhe rreth 600 mijë spektatorë që dolën në rrugët e kryeqytetit më flamuj në duar për t’iu bashkuar festimeve të diversitetit.
Organizatorët vlerësuan se eventi i përvitshëm ku morën pjesë mbi 200 grupime anëtarësh të komunitetit LGBTI dhe mbështetës të tyre theu të gjitha rekordet dhe shënoi një përmbyllje madhështore të javës së krenarisë që u mbajt nga 27 korriku deri më 4 gusht.
Në marshimin që zgjati rreth katër orë, iu vu theksi të drejtave të personave LGBTI, sidomos atyre që janë të detyruar të jetojnë të fshehur nga frika e paragjykimit dhe duartrokitje të shumta shkuan për grupimet e prindërve krenarë të komunitetit LGBTI, policëve dhe ushtarakëve homoseksualë që marshuan me uniformat e tyre, refugjatëve, si dhe familjeve të të njëjtës gjini me fëmijë.
Kryeministri suedez, Stefan Lofven dhe pesë liderë të tjerë partish nga parlamenti suedez përshkruan gjithashtu paradën prej 4.5 kilometrash.
Me slogane si “Të gjithë mund të dashurojmë”, “të barabartë” si dhe shumë flamuj të ylbertë, pjesëmarrësit në Europride kërcyen e kënduan deri në fund të marshimit që zgjati rreth katër orë. Festimet vazhduan në Parkun e Krenarisë, një hapësirë e dedikuar të drejtave të personave LGBTI dhe aktiviteteve të shumta zbavitëse.
- Festivali Europian i Krenarisë | Foto: Ivana Dervishi, Stokholm, Suedi
- Festivali Europian i Krenarisë | Foto: Ivana Dervishi, Stokholm, Suedi
Një koncert madhështor, me artistë si Wallmans, Arrhult, Conchita Wurst dhe këngëtari suedez Ionnalee mbyllën me sukses festimet e diversitetit në kryeqytetin Stokholm, për t’i hapur rrugë festimeve javën e ardhshme në qytetin e dytë më të madh Suedez, Gothenburg.
Përveç aktiviteteve kulturore si shfaqja e filmave me në fokus jetën e komunitetit LGBTI dhe festave DragQueen dhe DragKing në lokalet e natës, në Stokholm u mbajt gjithashtu një Konferencë e Të Drejtave të Njeriut, ku aktivistë, politikanë dhe organizata të ndryshme nga Europa diskutuan për situatën e të drejtave të njeriut dhe komunitetit LGBTI në vendet e Europës.
Suedia është një ndër vendet më të zhvilluara në botë dhe Europë në lidhje me respektimin e të drejtave të personave LGBTI. Vendi ka një histori të gjatë të mbrojtjes së të drejtave të homoseksualëve dhe transgjinorëve. Martesat me gjini neutrale njihen ligjërisht që prej vitit 2009, ndërsa prindërit e të njëjtit seks që prej 2003 kanë mundësi të adoptojnë fëmijë dhe çiftet lesbike mund të marrin asistencë shtetërore për metoda alternative farëzimi për të lindur fëmijë.
Kushtetuta suedeze mbron LGBTI ndaj diskriminimit në shoqëri dhe në punësim, ndërsa një Avokat Populli i është kushtuar veçanërisht personave LGBTI.
*Historia Ime/ Ivana Dervishi