Babai im mbi feminizmin: Një mesoburrë heteroseksual flet për çështjet e grave
Mamaja ime e ka quajtur babanë feminist prej kohësh tashmë. Unë e kam quajtur mizogjin në subkoshiencë prej edhe më shumë kohe. Ai bën shaka në kurriz të grave, tenton të bëjë komente të padëshiruara mbi trupat e grave dhe pritshmëritë e tij ndryshojnë për djemtë e tij nga ato të vajzave të tij. Pavarësisht se u rrit nga një nënë shumë e pavarur, pasi ka qenë i martuar me mamanë time (që është një feministe konservatore) prej 20 vitesh dhe që ka dy vajza adoleshente (njëra prej të cilave ka idhull Courtney Love dhe pastaj unë, tjetra, që ka një Tumblr feminist dhe shkruan blogje këtu në BUST), ai ende mund të ketë vështirësi të jashtëzakonshme të kuptojë privilegjin e tij. Ai ka tendencë t’i shohë gratë në aspektin e marrëdhënieve të tyre me burrat dhe ka vështirësi ekstreme për të kuptuar se pse të kem kontroll mbi trupin tim është kaq e rëndësishme për mua. Kështu që vendosa të bisedoja me të rreth feminizmit dhe çështjeve feministe gjatë drekës.
Unë: Pra, a identifikohesh si feminist?
Babi: Jo.
Unë: Pse?
Babi: Mendoj se ka një konotacion vërtetë negativ. Nëse ka të bëjë thjesht me besimin se njerëzit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë pa marrë parasysh gjininë atëherë po, jam feminist.
Unë: A mund të më thuash se si jeton sipas standardeve të feminizmit në jetën tënde të përditshme?
Babi: Nuk është diçka për të cilën jam menduar shumë. Ajo që është më e rëndësishme për mua është që unë i trajtoj njerëzit njësoj dhe në mënyrë të drejtë dhe në asnjë mënyrë që të komprometoj integritetin tim. Pra, nëse unë jam trap, dua të konsiderohem trap pavarësisht nga gjinia e dikujt, ose anasjelltas.
Unë: Si e definon feminizmin?
Babi: Do të kërkoja që ta definoje ti për mua. Prirem të mendoj për këtë në aspektin e barazisë për të gjithë. Kur kaloj një pjesë të mirë të kohës sime me gratë, prirem … të mos mendoj për këtë. Nuk është një faktor në pikëpamjen time të botës apo në pikëpamjen e përditshme.
Unë: Cilat mendon se janë tri çështjet kryesore me të cilat ballafaqohen gratë sot?
Babi: Në botën në zhvillim dhe në botën e zhvilluar ndryshon pak. Këtu, kemi pabarazi page. Në botën në zhvillim, ka akses në informacionet themelore dhe gjërat që ne i marrim si të mirëqëna, si p.sh. ujë të pastër. Ne priremi të mendojmë për këto gjëra në kontekstin e nënave, por gjithashtu mund të mendosh për to në aspektin e fëmijëve dhe baballarëve.
Unë: Si mendon se e ke ndihmuar apo penguar lëvizjen feministe?
Babi: Epo, nuk e di nëse kam ndikuar tek ndonjë lëvizje, por mundohem ti mendoj këto gjëra në mënyrë shumë të thjeshtë dhe duke qenë vajza ime, nuk e di nëse do ta mendosh për këtë pozitivisht apo negativisht, por unë dua që njerëzit, ose në këtë rast gratë, të trajtohen ashtu siç dëshiroj që të trajtohet gruaja ose vajza ime… Nuk do të vendos piedestale, unë marr në punë gra gjatë gjithë kohës, punoj me gra. Gjinia nuk është, ose nuk duhet të jetë një faktor.
Unë: Kur thua gjinia në përgjigjet e tua, si e dallon seksin nga gjinia?
Babi: Unë jam duke folur për mashkull / femër.
Unë: Në një nga përgjigjet e tua, ti the se do të doje që gratë të trajtohen si dëshiron që të trajtohen gruaja ose vajzat e tua. Po si thua sikur gratë të trajtohen si njerëz, duke i ndarë nga marrëdhëniet e tyre me burrat?
Babi: Mendoj se kjo është një pikë shumë e vlefshme. Konteksti im është se unë shpresoj që gruas dhe vajzave të mia tu ofrohen mundësi në bazë të meritave të tyre dhe bazuar mbi atë se kush ato janë.
Në fund të bisedës tonë ai tha se do të ishte i pari që do të pranonte se ishte injorant për çështjet e grave. Ai gjithashtu bëri shaka se ai i trajton të gjithë njësoj, që do të thotë i trajton të gjithë shumë keq. Kur i thashë se ai mendonte për këtë në një kontekst shumë të bazuar në punë, ai tha se kjo ndodh sepse në punë ai kalon gjithë kohën e tij. Në përgjithësi, nuk ishte aq i painformuar sa mendoja, por e kam të sigurtë që nuk do të organizojë ndonjë tubim për të drejtat riprodhuese. Unë u përpoqa ta bëja atë të mendonte se si feminizmi dhe çështjet e grave kanë të bëjnë me gratë si individë, por ai ishte mjaft i palëkundur, duke folur për mënyrën se si gjithkush ka një grua, një vajzë, një të dashur dhe se si shumica e grave që ai njeh dhe ndërvepron janë punonjëse, kliente ose bashkëpunëtore. Me një fjalë, ai nuk është me të vërtetë një aleat i fortë i feminizmit. Megjithatë, ai gjithashtu nuk po bën lëvizje për të hequr të drejtat tona. Ishte një bisedë interesante dhe jam shumë e lumtur që e bëmë. Po ju japim një detyrë shtëpie – bisedoni me dikë rreth feminizmit që nuk është domosdoshmërisht shumë i informuar në këtë temë dhe dëgjoni mendimet e tyre, thjesht për qejf. Ju mund të magjepseni (por ndoshta edhe të tmerroheni) nga ato që do të dëgjoni./A.A.