#edepsizsinmelihgökçek humbet çështjen e ngacmimit online në Turqi
Një çështje e vjetër gjyqësore më në fund është zgjidhur në Turqi, pasi Gjykata Kushtetuese përmbysi dënimin e një gruaje të ngacmuar në internet në lidhje me abortin nga ish-kryetari i Bashkisë së Ankarasë.
Eyüp Hanoğlu, një qytetare turke që jeton në Evropë, e ka fituar rastin e saj kundër Melih Gökçekut, ish kryetarit të kryeqytetit turk, Ankarasë.
Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm Rexhep Erdogan shprehu mendimin e tij mbi abortin dhe një grua turke u shpreh se nuk ishte dakord me të në llogarinë e saj personale të Twitter-it. Melih Gökçek i dërgoi asaj një mesazh privat ku thoshte: “A keni bërë shumë aborte? Kjo është arsyeja pse po bërtisni kaq shumë?” Gruaja e bëri publik mesazhin e tij në twitter-in e saj.
Eyüp Hanoğlu e ripostoi mesazhin e Gökçek dhe ai u bë viral. Kjo gjë shpejt shkaktoi zemërim në mediat sociale dhe hashtagu me #edepsizsinmelihgökçek (ju jeni i ndyrë Melih Gökçek) filloi të shpërndahej. Melih Gökçek e paditi atë për shkelje të privatësisë së tij. Ajo u dënua me dy vjet dhe u gjobit me 350 lira. Hanoğlu refuzoi të paguante dhe e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Hanoğlu, duke cituar lirinë e shprehjes. Hanoğlu shkroi në Instagramin e saj: “Fitova rastin përfundimtar në Gjykatën Kushtetuese, këtë herë Gökçek u dënua. Drejtësia u vu në vend. E shkruaj edhe një herë: # edepsizsinmelihgökçek”.
Ish-kryebashkiaku i Ankarasë do të duhet ti paguajë kompensimin Eyüp Hanoğlu një shumë prej 4000 lirash dhe shpenzimet gjyqësore.
Çështja ka vazhduar për pesë vjet. Hanoğlu nuk pranoi kurrë të kërkojë falje, duke deklaruar se “Gökçek është ai që duhet të kërkojë falje”.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan e quan procedurën “vrasje” dhe dëshiron që kjo praktikë të jetë e jashtëligjshme. Në vitin 2012, Melih Gökçek i mbështeti pikëpamjet e Erdogan-it në televizion duke thënë se një nënë që konsideron abortin, duhet “të vrasë veten dhe të mos lërë që pasojat e gabimit të saj të rëndojnë mbi fëmijën.”
Aborti ka qenë ligjor në Turqi që nga viti 1983./A.A.