Ndalet puna për HEC-et në Valbonë; Gjykata pezullon punimet
Gjykata Administrative e Apelit ka pezulluar punimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë.
“Në një seancë me dyer të mbyllura më 6 qershor, gjykata e apelit ju ka dhënë të drejtë 27 banorëve të Tropojës dhe Margegajt”, thuhet në njoftimin e organizatës “TOKA”.
Gjykata ka vendosur sigurimin e padisë, duke urdhëruar pezullimin e punimeve në Valbonë deri sa çështja të zgjidhet në themel.
Banorët dhe aktivistët prej më shumë se 2 vitesh protestojnë në kundërshtim të vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit për ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Argumentet e tyre janë pavërtetësi në listat e konsultimit të projektit, dëmtimi i mjedisit dhe turizmit në Parkun Kombëtar.
Ata kanë humbur dy beteja ligjore në shkallën e parë administrative, ku kërkonin pavlefshmëri të kontratës për dy hidrocentralet Dragobia dhe Cerem, megjithatë një betejë e tretë ligjore ka nisur.
/l.k./