Shënim: Edhe për sa kohë televizionet kombëtare do të lejojnë mesazhet diskriminuese?
Performanca fundit e artistit Kristi Popa dhe balerinit Eltion Merja në spektaklin “Dancing With the Stars”, është bërë shkak për një debat mes anëtarëve të jurisë dhe konkurrentëve.
Dy konkurrentët u shoqëruan që në fillim me nota ironie, batuta diskriminuese dhe ofendime të nënkuptuara nga drejtuesit e programit për shkak se performuan një numër baleti nën shoqërimin e këngës “Take me to Church” duke dhënë një mesazh mbështetje për dashurinë mes të njëjtës gjini.
Aktorja Ema Andrea e mori fjalën e para duke përgëzuar dy performuesit për mesazhin solidar mbi një temë delikate, që shpesh i çon raportet e shoqërisë tonë drejt dhunës.
Më tej ishte Julian Deda i cili e nisi debatin duke thënë se nuk pranon debat, por performancën e gjykon si “skandaloze” dhe se nuk e pa fare kërcimin.
Ai shtoi se performanca kalon nga natyralja tek “de natyralja” dhe nisi të heqë paralele mes korrupsionit dhe homoseksualitetit.
Pjesë nga debati midis Ema Andreas dhe Julian Dedës:
Deda: Unë nuk i duartrokas mesazhe të tilla që vijnë, nga një ngjarje që ai lë një grua dhe shkon tek një burrë pra nga natyralja tek de natyralja. Është mendimi im.
Andrea: Të lutem mos të themi natyrale dhe de natyrale sepse kjo është keqinformim për të gjithë, për ata që thonë se homoseksualizmi është sëmundje. Ky është një realitet njerëzor, shekullor i vjetër sa njeriu
Deda: Mua nuk më pëlqen, çfarë problemi ka? Realitet është që ne jemi të kalbur edhe në korrupsion, po ne nuk duhet ta pranojmë këtë gjë.
Andrea: Korrupsioni është fenomen social, ky është fenomen natyror.
Dy aktorët Deda dhe Andrea ishin të kundërt edhe në mesazhet që dhanë:
“Mendimi im është unë nuk i përqafoj, nuk i mbështes, nuk i përkrah këto lloj mesazhesh. Në këtë botë ku ne po jetojmë ku po shkatërrohet çdo gjë e vetmja gjë që ka mbetur është familja tradicionale”, tha Julian Deda.
“E vetmja gjë që ka mbetur në këtë jetë është dashuria dhe dashuria nuk ka lidhje nëse është mes sekseve të njëjta apo sekseve të kundërta. Familja tradicionale është një falsitet që e ka ndërtuar shoqëria për të mbuluar gjithë moralin që ka. E kështu është”, u përgjigj aktorja Ema Andrea.
Shënim: Edhe për sa kohë media do të lejojë shpërndarjen e mesazheve diskriminuese?
Jo rrallë herë në debate televizive personat e ftuar lejohen të dezinformojnë, shpërndajnë urrejtje apo të heqin paralele absurde si ajo mes korrupsionit dhe homoseksualitetit, ajo mbetet opinion dhe përgjegjësi e tyre intelektuale.
Por drejtuesit e një programi të transmetuar në një televizion i cili ka përfituar licencën e një frekuence kombëtare që është pasuri publike e çdokujt, duhet të ndërhyjë duke marrë një qëndrim kundër përmbajtjes diskriminuese që shpërndajnë personat e ftuar aty.
Video e emisionit “Dancing With the Stars” në Vizion+:
https://www.youtube.com/watch?v=IYW6vVdZnhs&app=desktop