Konferencë rajonale: Krimet e urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor
Përtej ligjeve, luftimi i krimit të urrejtjes anti-LGBTI dhe gjuhës së urrejtjes kërkojnë rritje kapacitetesh për zbatuesit e ligjeve, prokurorëve dhe magjistratëve, por gjithashtu dhe rritje të gatishmërisë dhe aftësimin e autoriteteve për të mbledhur të dhëna, për të analizuar modelet dhe për të zhvilluar politika parandaluese.
Incidentet homofobike dhe transfobike shpesh nuk raportohen për shkak të frikës së daljes hapur, poshtërimit ose keqtrajtimit nga policia. Nën-raportimi i dhunës së motivuar nga urrejtja ndaj pesonave LGBTI, bën që shumë prej këtyre krimeve të jenë të padukshme në të dhënat kombëtare, duke kufizuar aftësinë për të vlerësuar në mënyrë efektive prevalencën e këtij lloj incidenti dhe për të formuluar statistikat në mënyrën e duhur si bazë për politikat adekuate për parandalim.
Më shumë se 150 policë nga e gjithë Shqipëria janë bërë pjesë e trajnimeve për “Policimin e krimeve të urrejtjes kundër personave LGBTI”. Gjatë një periudhe 2 mujore, Këshilli i Evropës dhe organizatat LGBTI, kanë trajnuar nënpunësit e policisë në identifikimin, adresimin dhe hetimin e krimeve të urrejtjes ndaj personave LGBTI. Udhëzuesi për krimet e urrejtjes me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor është bërë edhe pjesë e kurrikulave mësimore të Fakultetit të Hetimit të Krimit në Akademinë e Sigurisë si pjesë e programit bachelor.
Përmbyllja e trajnimeve do të jetë nesër dhe pasnesër në konferencën rajonale 2-ditore “Greasing the wheels of the criminal justice system” tek Hotel Plaza Tirana, ora 10:00, për të ndarë me vende të rajonit format e suksesshme investiguese dhe parandaluese të krimeve të urrejtjes ndaj LGBTI.
Konferenca do të mbledhë së bashku ekspertizën e Këshillit të Evropës, Organizatave të tjera Ndërkombëtare si FRA, OSCE-ODHIR, organizatave lokale dhe institucioneve shqiptare që tashmë po punojnë për këtë çështje. Pjesëmarrësit do të jenë nga shoqëria civile dhe përfaqësues të qeverisë nga Shqipëria, Britania e Madhe, Franca, Portugalia, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Rumania.
Aktivitetet u zhvilluan nga iniciativa e përbashkët e BE dhe Këshillit të Evropës nën “Horizontal Facility – Parandalimi dhe luftimi i diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në Shqipëri”.
Data: 15 – 16 Maj
Vendi: Hotel Plaza Tirana, Salla “Jeronim De Rada”
Ora: 10:00