Qeveria franceze po propozon një projektligj kundër ngacmimit të grave
Javën e kaluar, Franca prezantoi një projekt-ligj për Këshillin e Ministrave që do të bënte që disa nga krimet dhe sjelljet e këqia seksuale të nxjerra në dritë gjatë muajve të fundit, të ndëshkohen më lehtë nga ligji.
Ekzistojnë katër seksione të legjislacionit: I pari, ngacmimet në rrugë do të dënohen në vend me një gjobë nga 90 deri në 750 euro. I dyti, ligji do të vendosë moshën e pëlqimit seksual në 15 vjeç. I treti, periudha e kufizimit për krimet seksuale të kryera ndaj të miturve do të zgjatej në 30 vjet (nga 20 vjet) pasi viktima të mbushë 18 vjet. I fundit, do të ketë sanksione më të ashpra kundër ngacmimeve në grup në internet (kjo do të thotë se çdo person që merr pjesë në ngacmimin e dikujt në internet, edhe nëse dërgojnë vetëm disa tweete, do të konsiderohet përgjegjës).
Megjithëse skandali Harvey Weinstein, lëvizja #BalanceTonPorc e Francës dhe lëvizja botërore Me Too e kanë vënë në mënyrë të qartë më shumë vëmendjen tek sulmet seksuale në mbarë botën, prapa secilit prej këtyre legjislacioneve ekziston një person ose një histori që filloi debatet në Francë shumë kohë përpara se këto çështje të bëheshin lajme të përditshme.
Ngacmimi në Rrugë
Në vitin 2012, një grua belge me emrin Sofie Peeters lëshoi një dokumentar të quajtur “Gruaja e Rrugës”. Duke përdorur një kamera të fshehur, ajo regjistroi dhe denoncoi fjalët dhe sjelljet seksiste që dëgjoi nga burrat ndërsa ecte nëpër rrugë.
Fyerjet si “kurvë” dhe “prostitutë” vërshonin mbi të, po ashtu edhe sjellje të pahijshme dhe propozime. Gruaja e re, atëherë vetëm një studente, tha se ishte e habitur që përjetonte këtë lloj ngacmimi “5 deri 10 herë në ditë”.
Siç vuri në dukje faqja e internetit franceze Madmoizelle, ndikimi i videos të përhapur gjerësisht shkaktoi reagimin e politikanëve anembanë Evropës. Qyteti i Brukselit, për shembull, vendosi menjëherë pas kësaj, se ky lloj ngacmimi seksual do të dënohej me ligj. Të mërkurën e kaluar, qeveria franceze u bashkua me Brukselin duke propozuar vendosjen e një gjobe për ngacmimet në rrugë dhe fyerjet seksiste.
Statuti i kufizimeve
Në tetor të vitit 2016, prezantuesja televizive dhe e radios franceze, Flavie Flament zbuloi në librin e saj The Consolation (Ngushëllimi) se ishte përdhunuar nga një fotograf i mirënjohur (edhe pse nuk e zbuloi emrin e tij në libër) gati 30 vjet më parë.
Ajo i shpjegoi JDD-së, një gazetë javore franceze, se e fshehu identitetin e agresorit të saj për shkak të “drejtësisë së kufizuar në lidhje me këtë lloj krimi”.
“Sot ky njeri është ligjërisht i paarritshëm, por kjo nuk e bën atë të pafajshëm. Unë nuk mund ta ndjek torturuesin tim dhe do të jetoj me këtë për gjithë jetën time”, tha ajo.
Tani fokusi i saj është në luftën për të zgjatur periudhën e kufizimit për krimet e kryera kundër të miturve. Në Francë, periudha është 20 vjet në qoftë se viktima është një e rritur, dhe nëse viktima është e mitur në kohën e incidentit, është deri në 20 vjet pasi viktima të mbush 18 vjeç. Kështu të miturit kanë kohë deri në moshën 38 vjeç për të paraqitur një rast. Kjo nuk është kohë e mjaftueshme për disa viktima, të cilët mund të vuajnë nga çrregullime të stresit post-traumatik ose të kalojnë vite pa e kuptuar që është bërë një krim ndaj tyre.
“Një viktimë e përdhunimit ndonjëherë ‘zgjohet’ shumë vite më pas. Për këta njerëz, dalja hapur në lidhje me atë çfarë ka ndodhur mund të kërkojë një kohë të gjatë. Ata mund të vendosin të ndërmarrin veprime ligjore pasi të jenë konsultuar me një psikolog, që mund të jetë një përpjekje e gjatë rindërtuese,” shpjegon Laure Ignace, një avokate nga Shoqata Evropiane kundër Dhunës ndaj Grave në Vendin e Punës (AVWW), në gazetën franceze Le Monde.
Flament-ës iu dha detyra të punonte për zgjerimin e statutit të kufizimeve nga Laurence Rossignol, ministrja franceze e familjeve, fëmijëve dhe të drejtave të grave. Ajo gjithashtu do të krijojë një dokumentar, “Përdhunimi ndaj të miturve”, për ta nxjerrë në pah këtë temë.
Që atëherë, gati 30,000 njerëz kanë nënshkruar një peticion për të zgjatur periudhën e kufizimit. Në nëntor 2017, Emmanuel Macron përsëriti në propozimin e tij kundër dhunës ndaj grave se qeveria duhet ta zgjasë periudhën deri në 30 vjet për të miturit.
Mosha e pëlqimit seksual
Gjykimi për përdhunimin e një vajze 11-vjeçare
Sa i përket moshës së pëlqimit për të miturit, historia që ka krijuar debate është e kohëve të fundit, edhe pse vetë subjekti nuk është. Shfajësimi i një burri që u përpoq të përdhunonte një vajzë 11-vjeçare shkaktoi zemërim në Francë në nëntor të vitit 2017.
Njëzet vjeç në kohën e gjykimit, vajza e akuzoi burrin për përdhunim, por i pandehuri deklaroi se seksi ishte konsensual. Ai gjithashtu pohoi se ajo gënjeu për moshën e saj, gjë të cilën ajo e kundërshtoi.
Një çështje e ngjashme nxiti polemika në Francë dy muaj më parë. Një 28 vjeçar u hodh në gjyq për “abuzim seksual” dhe jo “përdhunim” pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me një 11 vjeçare. Në Francë, dënimi për akuzën e parë është shumë më i lehtë.
Këto dy raste, veçanërisht ajo e nëntorit, ngritën zëra të shumtë në favor të vendosjes së një moshe për pëlqimin seksual, për të bërë dallimin midis fëmijëve (atyre që konsiderohen të paaftë për të miratuar) dhe të rriturve që mund të miratojnë seksualisht.
Emannuel Macron kërkoi që mosha të vendoset 15 vjeç gjatë një fjalimi më 27 nëntor 2017, pak kohë pas Ditës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës kundër Grave.
Marlène Schiappa, sekretarja e Shtetit për Barazinë midis grave dhe burrave, ka njoftuar se, nën një moshë të caktuar, një i mitur nuk duhet të konsiderohet më si një person që mund të miratojë seksualisht. “Poshtë një moshe të caktuar, duhet të konsiderohet se nuk mund të ketë kurrë debat, për miratimin seksual të një fëmije, dhe se për çdo fëmijë nën një moshë të caktuar do të konsiderohet automatikisht përdhunim ose sulm seksual”, shpjegon Schiappa , duke shtuar se kjo moshë ligjore mund të jetë diku “midis 13 dhe 15.”
Sulmet kibernetike
Pas një video ngacmimi të publikuar në Madmoizelle në maj të vitit 2016, aktorja dhe personaliteti i YouTube, Marion Seclin mori një valë fyerjesh dhe komentesh urrejtjeje online. Më shumë se 40,000, sipas Seclin.
Cila ishte arsyeja për këtë rritje të urrejtjes? Aktorja shpjegoi se rruga nuk ishte një vend për të flirtuar. “Më zemëroi sepse një numër i madh përdoruesish të internetit vendosën të mos debatojnë me mua, por vijnë me fyerje. Kam marrë rreth 40.000 kërcënime me vdekje dhe përdhunim, njerëz që më kanë kërkuar të kryej vetëvrasje, ose kërcënojnë të vrasin familjen time, apo fyerje të tjera”, tregon ajo më vonë.
Ky rast i ngacmimeve në internet solli në dritë mosndëshkimin e ngacmuesve, kur Seclin u gjet e pamundur dhe me pak mbështetje.
Në dhjetor të vitit 2017, ajo tregoi historinë e saj në një konferencë të TEDx dhe shpjegoi se pse ishte “kampionja franceze e sulmeve kibernetike”. “Çdo gjë që ndodh në internet po ndodh në jetën reale,” tha ajo.
“Nuk jam unë kundër 40.000 njerëzve, jam unë kundër një personi dhe një personi dhe një personi … Nuk kam kohën, as energjinë, e as mjetet për të ngritur padi kundër 40,000 pseudonimeve. A keni provuar ndonjëherë të ngrini padi kundër dikujt? A i njihni hapat administrativë për të ngritur padi kundër dikujt në Francë? Është shumë e gjatë. Pra, imagjinoni 40,000 njerëz, “tha ajo gjatë fjalimit, duke iu referuar vështirësive në ndjekjen e veprimeve ligjore në Francë kundër sulmeve kibernetike.
Në shkurt, një raport nga Këshilli i Lartë i Barazisë midis grave dhe burrave i Francës (HCE) iu dorëzua qeverisë me rekomandime për të siguruar që sulmet kibernetike nuk do të mbeteshin të pandëshkuara.
Në projekt-ligjin, të paraqitur të mërkurën e kaluar, duket një sanksion që lidhet me fenomenin e “mentalitetit të turmës,” ose kur disa njerëz ngacmojnë të njëjtin person së bashku.
Projektligji do të duhet të votohet nga Parlamenti Francez përpara se të kalojë, por anëtarët e qeverisë franceze po përpiqen të bëjnë përparime të mëdha kur është fjala për mbrojtjen e vajzave dhe grave./A.A.