Lendi Mustafa, aktivisti transgjinor nga Kosova që do të nisë rrugëtimin drejt ricaktimit të gjinisë
Foto: Lendi Mustafa/ Facebook
Lendi Mustafa është transgjinori i parë në Kosovë që ka dalë hapur për identitetin e tij gjinor. Që prej kësaj dalje publike në dokumentarin “Mallkimi LGBTI“ Lendi është kthyer në një prej aktivistëve më në zë për të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë. Por duket se dalja e tij publike si transgjinor në shoqërinë kosovare është vetëm fitorja e parë në rrugëtimin për tu njohur dhe për të përqafuar veten.
Këtë muaj aktivisti kosovar do të nisi terapinë hormonale në procesin e ricaktimit të gjinisë, një ëndërr që ai e ka pasur që në vegjëli. Në një intervistë me “Historia ime” Lendi rrëfen detaje se si arriti të marrë dorëshkrimin mjekësor për të nisur terapinë hormonale si dhe etapa të tjera të këtij procesi.
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=2030225607215809&set=a.1376754762562900.1073741829.100006851671133&type=3
Kur ke nisur të ndjesh brenda vetes “gender dysphoria”*?
Kur isha shumë i vogël, rreth moshës 5-6 vjeçare mu shfaqën simptomat e “gender dysphoria”. Nisa të jem konfuz në mënyrën se si më sheh shoqëria dhe familjarët, kjo çështje ka qenë aq problematike saqë u mbylla në vetvete deri në moshën 15 vjeçare. Pas kësaj moshe nisa të interesohem më shumë për identitetin gjinor dhe mundësinë për ndryshimin e seksit. Duke e marrë këtë informacion krijova një nivel vetëbesimi dhe “pavarësie” dhe nisa ti luftoj ndjenjat e shtypura që kisha që prej fëmijërisë.
*Gender Dysphoria është ndjesia e brendshme që personat transgjinor ndiejnë brenda vetes për shkak se seksi dhe gjinia që iu është caktuar në lindje nuk përputhet me identitetin gjinor me të cilin ata ndiejnë përkatësinë.
Në një shtet si Kosova, ku të drejtat e komunitetit LGBT mbeten vazhdimisht të kërcënuara duket e paimagjinueshme që personat transgjinor të kenë mundësi të nisin tranzicionin gjinor. Për më tepër sistemi shëndetësor nuk e ofron një shërbim të tillë. Si arrite të fitosh akses në një shërbim shëndetësor të tillë?
Rrugëtimi deri sa arrita të aksesoj një shërim të tillë ka qenë i gjatë. Kur isha 15 vjeç u interesova për procesin e ricaktimit të gjinisë apo siç e thonë të gjithë “ndërrimin e gjinisë”. Nga hulumtimi online e pashë se ky proces kishte kosto shumë të lartë, ndaj ricaktimi i gjinisë për 3 apo 4 vite ishte vetëm një dëshirë e madhe për tu realizuar, për më tepër në kushtet që kishim në Kosovë.
Me kalimin e kohës, duke u futur në kontakt me aktivistë për komunitetin nga rajoni arrita të marr informacion në lidhje me procesin dhe gjithnjë e më shumë procesi dukej më i lehtë. Por si ndodhi konkretisht? Një shok i imi, transgjinor dhe ky, pyet në Shkup për një spital ku kishte nisur rreth një vit më parë realizimin e këtyre procedurave. Vetë ky shoku im e ka nisur terapinë hormonale kurse unë zyrtarisht e nis terapinë në 21 mars 2018.
Çfarë etapash duhet të kalojë një person transgjinor paraprakisht, në mënyrë që të niset procesi i ricaktimit të gjinisë?
Në mënyrë që ti nënshtrohesh këtij procesi, ajo çfarë kërkohet nga psikiatri dhe të gjithë doktorët e tjerë është dëshmia që personi që do ti nënshtrohet këtij procesi është gati të ballafaqohet me të gjitha ndryshimet dhe pasojat që ky proces sjell. Psikiatri ka detyrën profesionale që të përgatisë personin që hyn në tranzicionin gjinor dhe kjo realizohet me anën e seancave dhe dy testeve që fokusohen mbi stabilitetin emocional. Jo të gjithë psikiatërit mund të lëshojnë rekomandime të tilla dhe vetëm në spitale të posaçme këto rekomandime pranohen për të nisur procesin.
Sa zgjat kjo terapi dhe në sa faza përbëhet ajo, do ti nënshtrohesh vetëm terapisë hormonale apo dhe “sexual reassignment surgery” ?
Për momentin e kam fokusin tek terapia hormonale dhe operacioni i gjoksit, pasi operimi i organeve gjenitale është shumë i ndërlikuar dhe kushton shumë (rreth 20.000 euro). Gjithashtu nuk jam i sigurt nëse dëshiroj t’i shkoj deri në fund operacioneve.
Më saktë procesi im ka nisur kështu: kam nisur seancat me psikiatrin, të pasuara nga dy teste ku në herën e parë nuk pata rezultat të mirë por mu desh të punoja me veten, të reflektoj e të përmirësohem. Pas gjithë kësaj vjen rekomandimi, vizita në spitalin në Maqedoni ku do të bëhen disa teste hormonale, të cilat kushtojnë rreth 300 euro si dhe caktohet doza e hormoneve. Më pas nis terapia hormonale.
Sa mbështetëse ka qenë familja për këtë vendim?
Familja më ka mbështetur shumë, madje më shumë se sa e kam pritur nisur dhe nga mosinformimi që ato kishin në lidhje me identitetin tim gjinor. Madje mamaja ime ka shprehur interes për të mësuar më shumë për këtë çështje duke tentuar shpeshherë të normalizojë situatën.
Motrat nga ana tjetër janë shumë suportuese, përveç njërës motër me të cilën nuk flasim më që prej tre vitesh, ndërsa me babain nuk kam më kontakt që prej divorcit nga mamaja para 10 vitesh. Pavarësisht kësaj, jam shumë mirënjohës ndaj familjarëve dhe shoqërisë që më ka dhënë mbështetje.
Tranzicioni gjinor është një proces i ndërlikuar dhe intensiv sikurse adoleshenca, me ndryshime të mëdha psikologjike dhe fizike, çfarë i shtyn personat trans të dyzohen përpara vendimit për të ndryshuar gjini. Si ndihet Lendi përpara një vendimi të tillë?
Presioni i shoqërisë në lidhje me gjininë dhe seksualitetin nganjëherë edhe pa e vënë re, peshon më shumë se sa ndryshimet fizike dhe psikologjike që i shkakton terapia hormonale, po edhe dëshira e madhe për të qenë dhe për tu ndjerë rehat në trupin tënd e lehtëson këtë proces sado i vështirë që do të jetë.
/Kristina Millona