Bansky kundër censurës turke; “Lironi Zehra Dogan”
Një murale e re e artistit anonim britanik Bansky u shfaq pak ditë më parë në Manhatan. Vepra i kushtohet Zehra Dogan, gazetares dhe artistes 28-vjeçare turke me etni Kurde, e dënuar me 3 vite burg për një pikturë.
Bansky rikthehet në Nju Jork, këtë herë për të ngritur zërin kundër një tjetër padrejtësie të Presidentit turk Erdoan, i njohur për censurën e fortë dhe burgosjen e aktivistëve. Turqia në vitet e fundit, veçanërisht pas grushtit të shtetit të dështuar në korrik 2016, ka shpeshtuar arrestimet e gazetarëve, shkrimtarëve, aktivistëve opozitarë dhe intelektualëve.
Një sërë sulmesh janë bërë ndaj lirisë së informimit dhe të shprehjes, mes të cilave bllokimi nga qeveria i Wikipedias, kundër të cilit enciklopedia më e madhe online në botë ka nisur betejën ligjore.
Pse u dënua Zehra Dogan?
Disa ditë më parë në Manhatan u shfaq kjo murale e artistit anonim britanik Bansky, dedikuar Zehra Dogan. Ajo u dënua më 24 mars 2017 me dy vite, 9 muaj e 22 ditë burg. Gati tre vite pas hekurave për shkak se realizoi një pikturë të inspiruar mbi një imazh që qarkullonte në rrjetet sociale.
Imazhi tregon Nusaybinm, një qytezë në Turqinë lindore në kufi me Sirinë, gjatë luftimeve të ashpra mes ushtrisë turke dhe militantëve kurdë. Fotografia, ashtu si piktura, paraqet një peizazh urban të pas-luftës, me automjete ushtarake dhe ndërtesa të bombarduara nga ku valëviten flamuj të mëdhenj turq. Vepra u konsiderua menjëherë si fyerje ndaj flamurit kombëtar dhe artistja e re u akuzua për propagandim dhe anëtarësim në një organizatë terroriste.
Artisti Bansky: Lironi Zehra Dogan
“Më vjen shumë keq për të”, ka thënë Bansky për New York Times. “Kam pikturuar gjëra që do të meritonin shumë më shumë se një dënim me burg”. Vepra e Bansky paraqet mbi një mur të bardhë një seri vijash të zeza si ato që të burgosurit gdhendin për të numëruar ditët. Vijat në këtë rast shënojnë kohën që Zehra Dogan ka kaluar në burg.
Seria e vijave ndërpritet nga portreti i artistes së re pas hekurave, një prej të cilëve është në të vërtetë një laps, simbol i rezistencës artistike dhe intelektuale.
/l.k./