Si është të lindësh fëmijë në një kamp refugjatësh
Gratë e Botës janë një sërë fotografish që tregon se si jetojnë gratë, në nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Para se të udhëtonte nga Turqia në Greqi, Turkia i tha vajzës së saj se do të luanin një lojë. Djali i saj foshnje ishte shumë i vogël për të bërë pyetje, por vajza e saj, në atë kohë 4 vjeçe, donte të dinte se çfarë po ndodhte. Turkia i shpjegoi se do të luanin një lojë në një varkë dhe më pas, rreth orës një të mëngjesit, ajo, bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët e tyre u ngjitën në një gomone dhe u nisën në det. Gjashtë orë më vonë, ata arritën në Samos, një ishull grek. Familja qëndroi aty tre muaj para se të udhëtonte për në Ritsona Camp, një kamp refugjatësh rreth 45 milje nga Athina. Njëzet ditë më vonë, Turkia lindi fëmijën e saj të tretë.
Nëpërmjet ndihmës së një përkthyesi të ofruar nga Women Deliver, një organizatë jofitimprurëse që advokon globalisht për të drejtat dhe mirëqenien e grave dhe vajzave, the Cut bisedoi me telefon me Turkian se si është të jesh shtatzënë, të lindësh dhe të kujdesesh për fëmijët e vegjël në një kamp refugjatësh.
Jam 24 vjeçe dhe jam e martuar me tre fëmijë: një 5 vjeçar, një 2 vjeçar dhe një 7 muajsh. Gjithmonë kam dashur të bëhem nënë. Kur isha më e re, më pëlqente shumë të luaja me fëmijët e vëllait tim.
Shtatzënia ime e parë ishte në Liban dhe linda në Siri; me fëmijën e dytë, mbeta shtatzënë dhe linda në Siri. Shumicën e shtatëzënisë së tretë e kam kaluar në Samos, një ishull grek, ku unë dhe familja ime ishim para se të vinim në Ritsona Camp, ku ndodhemi tani. Jemi këtu që prej tetë muajsh.
Ndërsa u përgatitëm për të udhëtuar në Greqi, të dy fëmijët e mi dukej se e dinin se çfarë po ndodhte. Djali im i mesëm ishte tepër i vogël për të pyetur, por vajza ime donte të dinte se çfarë po ndodhte. Nuk mendoj se fëmijët e mi do ta kishin kuptuar, në qoftë se do tu shpjegoja historinë e plotë se pse po hipnin në barkë. Kështu që i thashë vajzës se do të luanim një lojë dhe do të hipnim në një varkë.
Në orën 1 të mëngjesit, hipën në një gomone. Për pjesën më të madhe, të ishim në barkë duke udhëtuar për gjashtë orë ishte në rregull – bashkëshorti im dhe unë i mbajtëm fort fëmijët tanë gjatë gjithë kohës që ishim në ujë, që vazhdoi deri rreth orës 7:00 të mëngjesit. Vajza ime nuk u frikësua derisa arritëm në breg, ku u frikësua shumë dhe filloi të qante, duke thënë se ajo kishte frikë nga uji. Zbrita para saj nga varka për ti treguar se nuk kishte asgjë për tu frikësuar. Zbrita edhe djalin tim, për ti treguar vajzës se nëse vëllai i saj më i vogël mund t’ia dilte, edhe ajo mund ta bënte. Pak nga pak, ajo ishte ishte më pak e frikësuar.
Arritëm në Samos, ku kaluam tre muaj. Sapo morëm letrat tona të certifikimit, i dërguam në Athinë dhe erdhëm në Ritsona Camp. Para Samosit, ishim në Turqi. Dhe në Siri para kësaj.
Isha në Ritsona për 20 ditë para lindjes së fëmijës tim të tretë. Ajo kohë ishte shumë e mirë – kishte njerëz dhe organizata që ndihmuan me kujdesin tim ndërsa përgatitesha të lindja. Vetë lindja nuk ishte e vështirë, duke falenderuar Zotin shkoi shumë mirë. Kjo lindje ishte e ndryshme nga dy të parat, pasi ajo ishte një lindje shumë e lehtë krahasuar me herët e tjera që kam lindur, ku kam patur me ditë të tëra kontraktime të dhimbshme.
Në Ritsona Camp, familjet jetojnë në rimorkio të vogla të quajtura Isoboxes, dhe aty linda, me ndihmën e një mjeku që është gjithashtu refugjat. Linda atje, në Isobox tim, sepse ishte fundjavë, dhe asnjë spital nuk ishte i hapur.
Një ditë pasi fëmija im lindi, erdhi një ambulancë për të na çuar në spital për t’u rekuperuar. Kur erdhi ambulanca në fillim, një punonjës i urgjencës mjekësore më tha se kishin nevojë për prova që foshnja ishte fëmija im. Ata thanë se nuk ishin të sigurt nëse kisha lindur me të vërtetë, dhe donin placentën që të sigurohej që foshnja ishte në fakt fëmija im. Kjo ishte shumë e frikshme; qava shumë.
Nuk jam e sigurtë se përse punonjësi i urgjencës mjekësore dyshoi që sapo kisha lindur një fëmijë. Ishte një grua me punonjësin e urgjencës mjekësore dhe e mora atë grua në Isobox-in tim, ku hoqa të gjitha rrobat dhe i tregova asaj që kisha akoma gjak të mbetur, pasi kisha lindur fëmijën natën e kaluar. Mjeku që më ndihmoi të lindja po përpiqej të dilte si dëshmitar; ai tha, “E ndihmova të lindte me duart e mia.” Por gruaja tha se ata ende kishin nevojë të kryenin një test për të parë nëse fëmija im ishte imi.
Për fat të mirë, një mami – gjithashtu refugjate siriane – që kishte ndihmuar mjekun, kishte fshehur placentën time në banjë. Arritëm ta merrnim atë dhe të provonim që sapo kisha lindur, se ky fëmijë ishte fëmija im. Nuk do ta kishim menduar kurrë se do të na duhej ta përdorim placentën në këtë mënyrë. Më në fund, ata na çuan në spital, ku na kontrolluan gjatë dhe qëndruam për katër ditë.
Këto ditë, zakonisht e filloj mëngjesin duke marrë dy fëmijët e mi më të mëdhenj në hapësirën e kampit për fëmijë, e cila udhëhiqet nga OJQ-ja suedeze “Lighthouse Relief”. Ndonjëherë i merr edhe burri im fëmijët. Ai ndihmon shumë – ndonjëherë ai i merr të tre në mënyrë që unë të mund të kem pak kohë për veten time për t’u çlodhur. Fëmijët e mi dhe unë luajmë shumë lojëra, dhe në mbrëmje dhe fundjavë, shikojmë filma të animuar së bashku. Fëmija im i mesëm shpesh thotë se dëshiron një aeroplan apo një motor. Ai ka shumë temperament dhe ndonjëherë ma vështirëson pakëz punën.
Pjesa më e vështirë e të paturit tre fëmijë të vegjël në një kamp refugjatësh është që duhet të shkosh në Athinë për t’u kujdesur për dokumentet. Të udhëtosh nëpër qytet me tre fëmijë të vegjël është shumë e vështirë.
Pjesa tjetër e familjes sime jeton ende në Siri. Ndonjëherë arrij të flas me ta në WhatsApp kur ka lidhje, por jo gjithmonë ka sinjal. Është shumë vështirë të jesh larg tyre. Unë nuk e kam parë familjen time për shtatë vjet – madje edhe kur kam jetuar ende në Siri, zona ku isha unë dhe zona ku ishin ata, ishin të ndara nga lufta. Nuk mund të takoheshim edhe pse ishim në të njëjtin shtet. Distanca mes nesh ishte vetëm një orë me makinë.
Nuk jam e sigurtë nëse do bëj më shumë fëmijë. Vajza ime ndonjëherë më kërkon ti sjell një motër, por nuk dua të kem më shumë fëmijë deri sa familja ime të jetë e qëndrueshme. Shpresoj që e ardhmja e familjes sime të jetë e mirë. Ne u ballafaquam me shumë probleme, duke u rritur me luftën. Të paktën, shpresoj që e ardhmja e fëmijëve të mi të jetë më e mirë.
Çfarëdo që të më ndodhë me mua, nuk më intereson. Jam vetëm shumë e frikësuar për fëmijët e mi. Që kur e pashë vëllain tim të vdesë në luftë, kam qenë shumë e shqetësuar dhe e frikësuar për mirëqenien e fëmijëve të mi. I dua shumë fëmijët e mi. Unë dua vetëm që ata të kenë një të ardhme të mirë./A.A.