Tirana zgjohet me një mesazh: “Ne nuk e pranojmë shtypjen!”
Në 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Tirana është zgjuar me disa mesazhe politike të forta që dënojnë patriarkalizmin, shtypjen, dhunën dhe nënshtrimin e gruas. Në rrugët kryesore të qytetit janë ngjitur postera të mëdhenj që manifestojne disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen vajzat dhe grate.
“Dhuna ndaj gruas shfaqet në shumë forma: është dhunë në familje, por edhe e tregut; dhuna e kredive bankare apo listave të gjata të borxheve te kioska poshtë shtëpisë, e marrëdhënieve kapitaliste të pronës; dhunë shtetërore nëpërmjet politikave diskriminuese dhe përjashtuese ndaj grave punëtore të zonave rurale, lezbikeve, dhe transgjinorëve; dhunë e institucionalizuar nëpërmjet mendësisë patriarkale ndaj trupave të vajzave dhe grave; dhunë sistemike nëpërmjet pengimit të aksesit të lirë në shëndetësi dhe edukim; dhunë në vendin e punës nëpërmjet pabarazisë në paga dhe kushteve më të vështira.
Ne kërkojmë drejtësi dhe nje jetë pa dhunë!
Ne kërkojmë mundësi, trajtim dhe rroga të barabarta me burrat! Gruaja nuk është skllave që të rraskapitet për një pagë minimale dhe pastaj të bëjë punët e shtëpisë e të kujdeset e vetme për familjen!
Ne kërkojmë edukim, përfaqësim dhe pjesëmarrje në vendimmarrje!
Ne nuk e pranojmë shtypjen!
Ne rebelohemi dhe të kërkojnë që zëri ynë të dëgjohet! Ftojmë të gjithë djemtë dhe burrat të punojmë së bashku për t’i zhdukur pabarazitë gjinore dhe padrejtësinë shoqërore!”
/Grupi Feminist
8 mars 2018