Izraeli planifikon të ekstradojë azilkërkuesit LGBT drejt Ugandës
Foto: Azilantët nga Afrika gjatë protestës kundër ekstradimit të azilkërkuesve drejt Ugandës
Izraeli planifikon të vijojë ekstradimet e azilkërkuesve nga komuniteti LGBT, duke i dërguar ata drejt Ugandës, edhe pse një vend si ky i fundit njihet për persekutimin historik dhe burgosjen e personave për shkak të orientimit seksual dhe identitetit të tyre gjinor.
“Autoriteti për Popullsinë, Emigracionin dhe Kufinjtë Shtetëror” tha në një deklaratë për shtyp se azilkërkuesit që vijnë nga komuniteti LGBT nuk përjashtohen nga lista e grupeve të personave që mund të ekstradohen – këtu bëjnë përjashtim gratë dhe fëmijët.
“Personat LGBT nuk bëjnë pjesë në kategorinë që shpëtojnë nga ekstradimi…” u shpreh një përfaqësues i Autoritetit të Kufinjve Shtetëror. Qeveria ka argumentuar në lidhje me këtë vendim se emigrantët kanë shkaktuar kërdi dhe trazira në jug të Tel Aviv, duke u shprehur se këta individë nuk janë në të vërtetë refugjatë por emigrantë ekonomikë. Ministra të tjerë të kabinetit janë shprehur se ky grup njerëzish përbën rrezikshmëri për pjesën më të madhe të popullsisë hebraike.
Nga ana tjetër në shtetin ku këta refugjatë do të ekstradohen, në Uganda të qenurit LGBT është ilegale dhe “kundër ligjeve natyrore”. Kjo gjë mund të kërcënojë jetët e këtyre personave kur ata të zhvendosen atje./k.m/
Burimi: The Jerusalem Post