“Historia e parrëfyer” e refugjatëve nga komuniteti LGBT
Burimi: Reuters / Murad Sezer
Imagjinoni sikur të detyroheshit të arratiseshit nga vendi juaj për shkak të persekutimit, një persekutim ky që ndodh për shkak të identitetit dhe seksualitetit tuaj. Imagjinoni të ri-nisnit jetën nga fillimi në një shtet të huaj, në varfëri ekstreme dhe me frikën se mos shfrytëzoheni seksualisht.
Këto janë disa nga rreziqet që personat LGBT ndeshin kur arratisen nga vendlindja e tyre. Kjo është kriza e refugjatëve LGBT, një histori që vështirë se po dokumentohet në këtë periudhë, në një kohë kur të drejtat LGBT në botë mbeten të cënuara dhe Europa ka dështuar në adresimin e problematikave.
Në 72 shtete, marrëdhëniet brenda gjinisë së njëjtë mbeten të kriminalizuara. Në 8 prej tyre ato janë të dënueshme me vdekje. Në shumë vende të tjera normat sociale, traditat dhe zakonet e kthejnë jetën e personave LGBT në një “ferr” të vërtetë, edhe nëse ligji qëndron në krahun e personave LGBT.
Konventa e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë e bën shumë të qartë se orientimi seksual dhe identiteti gjinor përbëjnë motive të forta për të aplikuar me statusin e refugjatit. Përveç kësaj, një direktivë e Bashkimit Europian spacifikon se orientimi seksual është një ndër kategoritë – së bashku me kategori të tjera si raca, feja dhe kombësia – për të cilat personat mund të përballen me persekutim.
Në 2016, 362.000 refugjatë kaluan detin Mesdhe për të kërkuar azil në Europë. Shifrat zyrtare për 2017 nuk janë shpallur akoma, por për gjysmën e parë të vitit më shumë se 105.000 hynë në Europë. Pjesa më e madhe e tyre vinin nga Siria, por gjithashtu edhe nga vende të tjera me legjislacion kundër LGBT si Libia, Nigeria, Gambia, Senegali, Guinea, Bangladeshi dhe Pakistan.
Këta emigrantë, sikurse gjithë tët tjerët, kanë nevojë për asistencë bazuar në nevojat e tyre specifike. Por teksa janë bërë përpjekje për të adresuar nevojat e fëmijëve jetimë apo grave, shihet se pak punë është bërë për identifikimin dhe problematikave të emigrantëve LGBT.
Sipas organizatës “Stonewall” azilantët që mbahen në qendrat e emigracionit në Britaninë e Madhe përjetojnë abuzim nga azilantë të tjerë si dhe nga pjesëtarë të stafit të këtyre qendrave që dështojnë në mbrojtjen e këtyre azilantëve, madje-madje shfaqin dhe qëndrime diskriminuese karshi tyre.
Për shumë refugjatë LGBT, mbërritja në destinacionin e shumëkërkuar në Europë nuk nënkupton fundin e dhunës për ta. Në vend të kësaj, mungesa e mbështetjes nga komuniteti i emigrantëve dhe sistemit të emigracionit i shtyn këta refugjatë ta fshehin më tej orientimin seksual apo/dhe identitetin gjinor./k.m/
Burimi: Weforum