Sulmohet nga vandalistët qendra rinore për komunitetin LGBT
Një klub të rinjsh që promovojnë të drejtat LGBT është sulmuar nga një grup vandalistësh me mesazhe homofobike. Qendra rinore quhet “Dundee LGBT” me qendër në Skoci dhe mëngjesin e ditës së djeshme ka qenë i mbuluar me postera me mesazhe homofobike. Posterat vinin nga një grup i quajtur “System Resistance Network” të cilët vetëquhen “Nazistë”.
Në website-in e këtij grupimi ka lista të posterave që mund të printohen dhe të cilët përmbajnë mesazhe me gjuhë urrejtjeje si “Vdekje pederastëve”, ose në një tjetër ku thuhej “Degjenerimi seksual nuk ka vend në Britani”.
Nick Shane, një prej aktivistëve LGBT në qytet shprehet për “Pink News” se posterat u hoqën menjëherë nga personat e qendrës. Ai u shpreh më tej ”Të rinjtë LGBT në Dundee që e shohin këtë duhet të kuptojnë se nuk duhet ti frikësohen askujt”.
Grupimi i “nazistëve” po targeton të rinjtë në Dundee duke shkruar në website-in e tyre se personat LGBT janë “deformim”, “sëmundje mendore” ose “fetish”.
Policia lokale shprehet se ditëve të fundit postera të shumtë me mesazhe homofobike janë përhapur në lokacione të ndryshme në qendër të Dundee.
“Qartazi materiale të tilla mbeten të papranueshme dhe përhapja e tyre përbën kundravajtje penale. Jemi në dijeni se zemërata publike ndaj këtij fenomeni të shëmtuar është e madhe. Ndaj jemi duke investiguar intensivisht për personat që fshihen pas këtij grupimi nazist”./k.m/
Burimi: Pink News